
Mbahen në burg padrejtësisht, dy gazetarët e njohur nderohen me Çmimin Sakharov 2025
Dritare.net
Çmimi Sakharov 2025 u është ndarë dy gazetarëve - polako-bjellorusit Andrzej Poczobut dhe gjeorgjianes Mzia Amaglobeli të cilët janë duke vuajtur dënime në burgim për akuza të lidhura me punën e tyre në raportimin mbi demokracinë dhe shoqërinë civile. Konferenca e Presidentëve e Parlamentit Evropian, që përbëhet nga presidentja e PE-së, Roberta Metsola, dhe nga udhëheqësit e tetë grupeve politike, e shpalli fituesit më 22 tetor.
“Të dy janë gazetarë që ndodhen në burg për akuza të sajuara, thjesht sepse kanë bërë punën e tyre dhe kanë ngritur zërin kundër padrejtësisë”, tha Metsola duke i shpallur fituesit.
“Guximi që kanë treguar i ka shndërruar në simbole të luftës për liri dhe demokraci. Ky institucion qëndron përkrah tyre dhe përkrah të gjithëve që vazhdojnë të kërkojnë liri”, shtoi ajo.
Studentët serbë që kanë protestuar kundër Qeverisë në Beograd për më shumë se një vit, si dhe gazetarët dhe punonjësit e ndihmës humanitare në Palestinë, ishin gjithashtu në listën e ngushtë për çmimin prej 50.000 eurosh. Çmimi më i lartë i Bashkimit Evropian për të drejtat e njeriut u krijua në vitin 1988 në nderim të shkencëtarit dhe disidentit rus Andrei Sakharov dhe është bërë një nga mjetet kryesore të komunikimit publik të Parlamentit, ndërsa regjimet shtypëse shpesh reagojnë ashpër ndaj ligjvënësve evropianë për disa nominime apo fitues të këtij çmimi..
Ndër laureatët e mëparshëm janë ish-presidenti i Afrikës së Jugut Nelson Mandela, lideri i opozitës ruse Aleksie Navalny dhe aktivistja pakistaneze për arsim, Malala Yousafzai.
Kritik i zëshëm i Lukashenkos
Poczobut ka punuar për disa botime bjelloruse dhe polake dhe ka qenë një nga drejtuesit e organizatës politike “Bashkimi i Polakëve në Bjellorusi”, që përfaqëson pakicën polake në vend. Ai ka qenë kritik i zëshëm i regjimit autoritar të sundimtarit të kamotshëm, Aleksandr Lukashenko, dhe është vazhdimisht nga autoritetet. Ai u arrestua në vitin 2021 si pjesë e shtypjes politike ndaj opozitës dhe shoqërisë civile pas zgjedhjeve presidenciale të manipuluara të vitit të kaluar, dhe më pas u dënua me tetë vjet burgim.
Derisa familjes së tij i është mohuar e drejta e vizitave, ka shpresë se ai mund të lirohet së shpejti, pasi Shtetet e Bashkuara po negociojnë me Minskun për të lehtësuar disa sanksione në këmbim të lirimit të disa prej mijëra të burgosurve politikë. Politikani opozitar Alyaksandr Milinkieviq, shoqata e gazetarëve bjellorusë dhe opozita demokratike në Bjellorusi, e udhëhequr nga Svyatlana Tsikhanouskaya, janë fitues të mëparshëm të këtij çmimi.
Gjendja e përkeqësuar shëndetësore në burg
Amaglobeli, themeluese e mediave të pavarura Batumelebi dhe Netgazeti, u arrestua në fillim të vitit 2025 dhe më pas u dënua me dy vjet burgim për “rezistencë ose përdorim dhune ndaj një zyrtari policor” gjatë një proteste proevropiane pas zgjedhjeve të diskutueshme parlamentare në Gjeorgji në tetor të vitit 2024.
Që prej asaj kohe, është raportuar shpesh për përkeqësimin e gjendjes së saj shëndetësore gjatë qëndrimit në burg.
Dënimi i kundër saj, i dënuar nga BE-ja, Federatat Evropiane dhe Ndërkombëtare të Gazetarëve, si dhe nga grupet për të drejtat e njeriut, shihet si pjesë e një fushate më të gjerë shtetërore për t’i heshtur zërat kritikë dhe për ta kufizuar lirinë e shprehjes në Gjeorgji. E konsideruar si gruaja e parë e burgosur politike në Gjeorgji që nga pavarësia e vendit në vitin 1991, ajo është gjithashtu gjeorgjiania e parë që fiton këtë çmim.
Ceremonia e ndarjes së çmimit do të mbahet në Strasburg më 16 dhjetor./rel

















