
Sot Shqipëria proteston. Protesta është një e drejtë demokratike dhe askush nuk mundet t’u mohojë qytetarëve të drejtën për të ngritur zërin. Por sot, më shumë se kurrë, kemi nevojë t’ia themi vetes dhe kujt nuk e di, sepse është lindur pas 91, pas 97, pas 98, pas 21 janarit.
Çfarë kemi ndërtuar bashkë, në këto vite? Ne që ndenjëm dhe njerëzit tanë që ikën. Shqipëria nuk është më vendi i izoluar, i varfër dhe i harruar. Qytetet janë mbushur me turistë, rrugët janë hapur, bizneset kanë investuar, dikush sheh një mundësi, aty ku më parë shihte vetëm largim. Asgjë nuk është perfekte, por askush nuk mund të mohojë se vendi ka ecur përpara.
Prandaj sot pyetja nuk është vetëm kundër kujt protestojmë. Pyetja është: çfarë duam të mbrojmë?
Duam të mbrojmë Shqipërinë që po njihet në botë. Duam të mbrojmë turizmin që po sjell punë dhe të ardhura për mijëra familje. Duam të mbrojmë emrin e vendit tonë, të ardhmen e fëmijëve tanë dhe mundin e atyre që kanë investuar jetën e tyre këtu.
Ne e kemi provuar një herë rrugën e zemërimit pa kufi. E kemi provuar në vitin 1997. E dimë sa shtrenjtë kushton kur shteti dobësohet, kur njerëzit ndahen në kampe dhe kur shpresa zëvendësohet nga kaosi. Askush nuk mund të dëshirojë kthimin e atyre ditëve.
Mos e nxisni Shqipërinë që t’ia nisë prapë nga zero!
Mos besoni profetët e rremë që premtojnë shpëtim total duke shkatërruar gjithçka që ekziston. Çeku i bardhë nuk ekziston. Historia ka treguar se shpesh ata që duan vdekjen e “zotave të vjetër” kërkojnë vetëm të bëhen vetë “zotat e rinj”. Shqipëria nuk ka nevojë për Mesi, as për revolucionarë që ushqehen me zemërimin e njerëzve. Ka nevojë për qytetarë që dinë të kërkojnë ndryshim pa djegur të ardhmen.
Protestoni, mos shkatërroni. Kundërshtoni, mos urreni. Kërkoni më shumë, pa mallkuar çfarë është ndërtuar.
Sepse kjo Shqipëri nuk është pronë e qeverive, e partive apo e liderëve. Kjo Shqipëri është e fëmijëve tanë.
Dhe ata meritojnë ta gjejnë më të mirë se sa e gjetëm ne, jo ta nisin përsëri nga e para. / Dritare.net
P.s Po mbyllim komentet sepse ky nuk është sondazh, është qëndrimi ynë. Secili e do Shqipërinë në mënyrën e tij!