Adriatik Lapaj mesazh Ramës, nga protesta!
Dritare.net

Pas gati dy javësh protestë i vetëm para Kryeministrisë, këtë të shtunë Adriatik Lapaj zhvilloi atë që e quajti “protestë kombëtare”, duke ftuar qytetarët t’i bashkohen kauzës së tij kundër qeverisë.
Gjatë protestës u shënuan disa përplasje mes protestuesve dhe forcave të policisë, pasi këto të fundit tentuan të largonin një gjenerator që shërbente për funksionimin e fonisë. Situata u tensionua për disa momente, por pa raportime për incidente të rënda.
Në fjalën e mbajtur para protestuesve, mes thirrjeve kundër kryeministrit Edi Rama, Lapaj kërkoi dorëheqjen e tij, duke e akuzuar për mosmbajtje premtimesh dhe për keqqeverisje. Ai u bëri thirrje veçanërisht të rinjve që të bashkohen me protestën, duke e cilësuar momentin si një përballje mes “së mirës dhe së keqes”.
“Ftoj qytetarët të bashkohen dhe që Rama të dorëhiqet. Premtimet që dha, Rama gënjeu dhe nuk i mbajti! Është koha që brezi i ri të bashkohet. Është koha e së mirës kundër së keqes. Nuk trembem nga procedimet penale!
Për të gjithë ata që kanë në shtëpi të sëmurë me kancer dhe nuk gjejnë ilaçe.
Për të gjithë ata që vuajnë nga ky regjim i hajdutëve, që me një mesazh jep 50 milionë euro, të gjithë bashkë të japim një duartrokitje për ata funksionarë të drejtësisë që po përballen me këtë kancer malinj!
Edi Rama je hajdut, je hajdut! I them Edi Ramës nga ky shesh: çdo veprim, çdo nismë që merr ndaj nesh je absolutisht në konflikt me familjen Lapaj drejtpërdrejtë.
Kam një thirrje për Diasporën, është koha për të çliruar mëmëdheun!”, tha Lapaj./K.C/dritare.net