Arben Meçe: SPAK-u po amniston vjedhjen e shekullit!
Dritare.net

I ftuar në studion e emisionit Intervista e Ditës në DritareTv, Arben Meçe tha se SPAK se po vepron me dy standarde, duke u treguar i pamëshirshëm në auditimin e çdo procedure të qeverisjes aktuale, ndërkohë që 'amniston' në heshtje skandalet madhore të korrupsionit gjatë qeverisjes së Partisë Demokratike në vitet 2005-2013.
Në qendër të kritikës së tij ishte moshetimi i asaj që ai e quajti vjedhje kolosale në projektin e Rrugës së Kombit. Meçe pretendoi se abuzimet në këtë projekt arrijnë shifrën e 600 milionë eurove, një shumë që sipas tij rëndon ende mbi buxhetin e shtetit shqiptar. Ai solli në vëmendje se këto denoncime janë bërë publike me fakte dhe prova që në vitin 2006, por deri më sot nuk ka asnjë person të marrë të pandehur për këtë çështje. 'Vlera e objektit sot ka arritur 1.4 miliardë dhe është vjedhja e shekullit,' theksoi Meçe.
Analisti listoi një sërë çështjesh të tjera të rënda që sipas tij janë lënë në harresë nga drejtësia e re, përfshirë tjetërsimin e pronave në Gjirin e Lalzit, faljen e hidrocentraleve strategjike, dhe privatizimet e dyshimta në sektorin e energjisë. Ai argumentoi se përqendrimi i SPAK-ut vetëm te zyrtarët e tanishëm socialistë, ndërkohë që figurat kryesore të opozitës së sotme (dhe qeverisë së djeshme) mbeten të paprekura për bëmat e tyre në ekzekutiv, krijon një disnivel të rrezikshëm politik dhe juridik.
Meçe sfidoi drejtpërdrejt Prokurorinë e Posaçme: 'Meqenëse morët atributet e Kontrollit të Lartë të Shtetit për auditimin e procesit të tenderimit, ta filloni procedurën e verifikimit që nga 2005-a.' Ai insistoi se një hetim i vërtetë dhe i paanshëm kundër korrupsionit duhet të përfshijë të gjithë spektrin kohor të tranzicionit, duke mos lejuar që vjetërsimi i veprave penale të shërbejë si mburojë për ish-zyrtarët e lartë.
Përveç Rrugës së Kombit, Meçe përmendi edhe çështjen e kompleksit Partizani, duke theksuar se hetimi ndaj dhëndrit të ish-kryeministrit Berisha nuk erdhi si iniciativë e kreut aktual të SPAK-ut, Altin Dumani, por ishte një proces i nisur më herët që thjesht po ndiqet proceduralisht. Ai e cilësoi këtë si të pamjaftueshme përballë malit të akuzave historike që rëndojnë mbi lidershipin e opozitës, duke konkluduar se mosndëshkimi i korrupsionit të viteve 2005-2013 i jep sot atyre 'kartën e moralit' për të akuzuar të tjerët./K.C/dritare.net
