Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Banorët e Manzës: Frikë nga konflikti? Po, por ndihemi të mbrojtur nga NATO!

Banorët e Manzës: Frikë nga konflikti? Po, por ndihemi të

Gazetarja e DritareTV, Eda Preka, ishte sot në Manzë, pranë kampit të muxhahedinave (MEK), ku intervistoi banorët e zonës për tensionet e shkaktuara nga sulmet e SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit.

Banorët shprehën shqetësimin e tyre për zhvillimet ndërkombëtare dhe teoritë se Shqipëria mund të përfshihet në konflikte rajonale. Në fjalët e tyre, situata duket larg, por pranë kampit ku strehohen mbi 3,200 persona, që konsiderohen opozitarë iranianë, shqetësimi ndihet:

“Frikë kemi, sepse nuk dimë si do përfundojë kjo punë. Jo vetëm unë, por të gjithë e ndiejnë tensionin,” tha një banor.


Megjithatë, shumica e tyre treguan se ndihen relativisht të sigurt falë mbështetjes së Shqipërisë në NATO dhe partnerëve ndërkombëtarë. Banorët shpjeguan se nuk kanë lidhje të drejtpërdrejtë me anëtarët e kampit dhe marrëdhëniet e tyre me ta janë respektuese dhe të qeta:

“Marrëdhëniet janë të mira. Nuk kemi asnjë problem me njerëzit aty brenda,” tha një tjetër banor.
Banorët gjithashtu folën për ndihmat që arrijnë për festat e veçanta, si Ramazani, dhe për kujdesin që kanë për komunitetin lokal:

“Na sjellin oriz, sheqer, makarona, rrallë herë. Përveç kësaj, ata kujdesen për festat e tyre dhe ne respektojmë njëri-tjetrin,” shpjegoi një grua nga zona.
Disa banorë folën edhe për pasuritë ushtarake të Shqipërisë gjatë kohës së luftës dhe ndihmën ndërkombëtare që ndjejnë sot:

“Jemi të sigurt sepse NATO dhe SHBA-ja janë pas nesh. Bashkimi Evropian gjithashtu ka kapacitete të fuqishme për të mbrojtur territorin tonë,” tha një banor që ka përvojë në ushtri.
Një tjetër element i rëndësishëm që dolën nga intervistat ishte perceptimi për rrezikun: banorët e njohin situatën, por besojnë se Shqipëria nuk është objektiv i drejtpërdrejtë i sulmeve, falë mbrojtjes ndërkombëtare:

“Shqipëria është një vend i vogël, por i mbrojtur. Nuk ka arsye të frikësohemi për një sulm direkt,” tha një banor.
Preka gjithashtu raportoi se banorët janë të ndërgjegjshëm për situatën në Lindjen e Mesme, por shprehin qetësi për jetën e tyre të përditshme dhe për marrëdhëniet me kampin:

“Ata flasin shqip kur dalin jashtë dhe marrëdhënia me ne është e qetë. Nuk kemi asnjë problem,” përfundoi një banor./dritare.net