Pas dy dekadash, rikthehet në RTSH “Festivali i Pranverës”
Dritare.net

Pas një mungese prej rreth dy dekadash, një nga aktivitetet muzikore që dikur i dha zë artistëve të rinj shqiptarë pritet të rikthehet në ekran. “Festivali i Pranverës” do të rikthehet në Radio Televizionin Shqiptar, duke synuar të krijojë një hapësirë të re për talentet e reja që duan të prezantojnë muzikën e tyre dhe të konkurrojnë në një skenë kombëtare.
Lajmi është bërë i ditur nga drejtoresha e përgjithshme e RTSH-së, Eni Vasili, e cila përmes rrjeteve sociale ka njoftuar se festivali do të rikthehet si një projekt i ri artistik i institucionit publik.
"Pas dy dekadash kthehet një superbrend i RTSH-së. ‘Festivali i Pranverës’ për të gjithë të rinjtë që duan që muzika e tyre të dëgjohet dhe të fitojë. RTSH hap garën… skena tani është për ju!", shkruan Eni Vasili në Instagram.
View this post on Instagram
“Festivali i Pranverës” ishte një nga aktivitetet muzikore që para dy dekadash shërbente si trampolinë për shumë këngëtarë të rinj, duke promovuar zhanre të ndryshme muzikore dhe duke sjellë frymë të re në skenën shqiptare. Rikthimi i tij pas një periudhe kaq të gjatë pritet të ngjallë interes të madh, sidomos te të rinjtë që synojnë të ndërtojnë një karrierë në muzikë./K.C/dritare.net