Qeveria amerikane ofron shpërblim, kush jep informacione mbi liderët iranianë
Dritare.net

Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka shpallur një shpërblim deri në 10 milionë dollarë për këdo që ofron informacione mbi disa nga figurat kryesore të udhëheqjes së Iran, përfshirë edhe liderin e ri suprem të vendit, Mojtaba Khamenei.
Njoftimi u publikua nga programi “Shpërblime për Drejtësi” i Departamentit të Shtetit të Shteteve të Bashkuara, në një kohë kur tensionet mes SHBA-së dhe Iranit mbeten të larta. Kjo masë vjen pas raportimeve se ish-lideri suprem i Iranit, Ali Khamenei, si dhe disa zyrtarë të tjerë të lartë iranianë janë vrarë gjatë përshkallëzimit të fundit të konfliktit.
Sipas njoftimit, autoritetet amerikane po kërkojnë informacione për disa zyrtarë të rëndësishëm të qeverisë dhe strukturave të sigurisë iraniane, përfshirë:
Mojtaba Khamenei – lideri i ri suprem i Iranit
Ali Asghar Hejazi – zëvendësshef i stafit të liderit suprem
Yahya Rahim Safavi – këshilltar ushtarak
Ali Larijani – këshilltar politik
Eskandar Momeni – ministër i Brendshëm
Esmail Khatib – ministër i Inteligjencës dhe Sigurisë
Po ashtu kërkohen informacione edhe për katër zyrtarë të paidentifikuar të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC), përfshirë sekretarin e Këshillit të Mbrojtjes, këshilltarin e liderit suprem, shefin e zyrës ushtarake pranë liderit suprem dhe komandantin e kësaj garde.
Në njoftim thuhet se këta individë drejtojnë dhe koordinojnë veprimtarinë e Gardës Revolucionare Islamike, e cila sipas SHBA-së planifikon dhe organizon akte terroriste në pjesë të ndryshme të botës.
Kjo strukturë u krijua pas Revolucionit Iranian të vitit 1979 dhe që atëherë ka fituar një rol të rëndësishëm në politikën e jashtme të Iranit. Sot ajo ka ndikim të madh edhe në ekonomi dhe në politikën e brendshme të vendit.
Autoritetet amerikane theksojnë se personat që japin informacione të vlefshme mund të përfitojnë jo vetëm shpërblimin financiar, por edhe mundësi zhvendosjeje dhe mbrojtjeje nga qeveria amerikane./K.C/dritare.net