Mbyllet protesta/ Berisha: ‘Foltorja 2’ s’ka më synim shpëtimin e opozitës, por të Shqipërisë!
Dritare.net

Pas 1 ore e 30 minutash, protesta e mbajtur nga opozita është mbyllur, edhe pse leja ishte marrë për 2 orë.
Nga foltorja e vendosur para Kryeministrisë, kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se kjo “Foltore 2” nuk ka më qëllim të shpëtojë opozitën, por vetë Shqipërinë. Ai akuzoi qeverinë për represion, ndërsa u shpreh se protesta është e rrethuar nga gardistë dhe forca të ushtrisë, çka sipas tij tregon frikën e kryeministrit Rama.
“Foltoreja nuk synon më shpëtimin e opozitës, por shpëtimin e Shqipërisë nga regjimi i krimit. Hapni sytë dhe shihni se si e ka rrethuar këtë shesh me gardistë e ushtarë. Edvin, je i pashpresë. Ferri yt do të vijë nga ky shesh,” tha Berisha.
Ai sulmoi ashpër SPAK-un, duke e cilësuar “SKAP-in e partisë”, dhe përsëriti se qeveria nuk mund të mbahet në këmbë me “dhunë, terror dhe blerje votash”.
“Ne jemi në një regjim të kalbur nga koka te këmbët. E vetmja rrugë është beteja jonë, vendosmëria jonë dhe forca e idealeve që nuk i reziston askush,” përfundoi Berisha./K.C/dritare.net