Fondacioni Vodafone dhe British Council prezantojnë Platformën e Parë Kombëtare Dixhitale, për Edukimin në Shqipëri
Dritare.net

Fondacioni Vodafone dhe British Council prezantojnë Platformën e Parë Kombëtare Dixhitale, për Edukimin në Shqipëri Fondacioni Vodafone në Shqipëri dhe British Council kanë nënshkruar marrëveshjen e bashkëpunimit për të prezantuar Platformën e Parë Kombëtare Dixhitale në kuadër të programit Skills Upload Junior, duke shënuar kështu një moment të rëndësishëm në avancimin e edukimit dixhital në mbarë Shqipërinë.

Ceremonia e nënshkrimit u zhvillua në “Innovation Hub”, Piramida, në prani të Znj. Lisa Felton, Drejtoreshë e Fondacionit të Grupit Vodafone; drejtuesve të lartë të Vodafone Albania; Drejtoreshës së British Council për Shqipërinë dhe Kosovën, Znj. Majlinda Mazelliu; përfaqësuesve të Ambasadës Britanike; si dhe dy Zëvendësministreve të Arsimit, Znj. Orjana
Osmani dhe Znj. Herida Duro; si edhe Znj. Dorina Rapti, përfaqësuese nga Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin Parauniversitar të Shqipërisë.

Në nisje të aktivitetit, Znj. Lisa Felton, Drejtoreshë e Fondacionit të Grupit Vodafone, theksoi se ky partneritet me British Council ka për qëllim përmirësimin e aftësive dixhitale të nxënësve në shkollat e mbarë Shqipërisë. Për të mundësuar rritjen e këtyre aftësive, të dy institucionet do të krijojnë platformën e parë online, e cila do të ofrojë kurikula të veçanta të fokusuara në inteligjencën artificiale dhe mirëqenien dixhitale, njësoj si në shkollat europiane - konkretisht ato të Gjermanisë, Spanjës, Greqisë, Rumanisë dhe vendeve të tjera ku Fondacioni Vodafone ka prezencë.

Znj. Majlinda Mazelliu, Drejtoreshë e British Council, foli për kurorëzimin e këtij bashkëpunimi si një kontribut në hapjen e rrugëve të reja për nxënësit, ku ata do të mund të aftësohen për dijet e së ardhmes përmes përdorimit të teknologjisë - jo thjesht si konsumues të saj, por si inovatorë dhe zgjidhës problemesh. Pas nënshkrimit zyrtar, nxënësit prezantuan projekte dixhitale frymëzuese, duke demonstruar kreativitet dhe inovacion që pasqyrojnë misionin e programit: ndërtimin e një të ardhmeje dixhitale më të sigurt dhe gjithëpërfshirëse.
Platforma Kombëtare Dixhitale do të ofrojë përmbajtje të personalizuar dhe trajnime të dedikuara për mësuesit dhe nxënësit, me synim fuqizimin e tyre me aftësitë dixhitale thelbësore. Kjo nismë përputhet me angazhimin e Fondacionit Vodafone për të kapërcyer hendekun dixhital dhe për të nxitur gjithëpërfshirjen përmes teknologjisë./dritare.net