Berisha sulmoi Gonzato-n, reagojnë ambasadorët evropianë
Dritare.net

Një ditë pas deklaratave të kreut të PD-së, Sali Berisha ndaj ambasadorit të Bashkimit Europian në Shqipëri, Silvio Gonzato, kanë reaguar ambasadorët e vendeve të BE-së të akredituar në Tiranë, duke i dalë publikisht në mbështetje diplomatit evropian.
Në një deklaratë të përbashkët të publikuar me rastin e 9 Majit, Ditës së Europës, ambasadorët shprehin besim të plotë te profesionalizmi dhe integriteti i Gonzatos dhe ekipit të Delegacionit të BE-së në Shqipëri.
“Ne qëndrojmë të bashkuar në mbështetje të Ambasadorit të BE-së dhe ekipit të tij, dhe riafirmojmë besimin tonë të plotë në profesionalizmin, integritetin dhe shërbimin e tyre të përkushtuar”, thuhet në deklaratë.
Reagimi vjen pasi një ditë më parë Berisha akuzoi Gonzaton se po vepron “si ambasador i Edi Ramës”, duke pretenduar se ai ka përcjellë në Bruksel “trillime ndaj opozitës” dhe se ka tentuar ta paraqesë PD-në si forcë kundër integrimit evropian.
“Gonzato është unifikuar komplet me Edi Ramën. Unë partnerëve europianë do t’u them të vërtetën dhe vetëm të vërtetën”, deklaroi Berisha gjatë një bashkëbisedimi me qytetarët./K.C/dritare.net