Pushime me stres? Sistemi i ri i BE-së mund t’ju mbajë me orë në aeroporte
Dritare.net

Udhëtarët që planifikojnë pushimet verore në Europë janë paralajmëruar të përgatiten për vonesa të mundshme në aeroporte, si pasojë e zbatimit të plotë të sistemit të ri të kontrollit kufitar të Bashkimit Europian, i njohur si Entry/Exit System (EES).
Sistemi i ri zëvendëson vulosjen manuale të pasaportave dhe kërkon që shtetasit e vendeve jashtë BE-së, përfshirë britanikët, të regjistrojnë gjurmët e gishtërinjve dhe një fotografi në pikat kufitare të vendeve të zonës Schengen.
Megjithëse EES synon të forcojë sigurinë dhe të modernizojë kontrollet kufitare, procesi i regjistrimit biometrik ka shkaktuar radhë të gjata në disa aeroporte europiane. Përfaqësues të industrisë së aviacionit kanë paralajmëruar se në periudha të ngarkuara pritjet mund të arrijnë deri në gjashtë orë.
Ekspertët e udhëtimeve ia atribuojnë problemet vështirësive teknologjike, mungesës së personelit kufitar dhe rasteve kur pasagjerët janë detyruar të regjistrojnë të dhënat biometrike më shumë se një herë. Disa udhëtarë kanë humbur edhe fluturimet e kthimit për shkak të vonesave në kontrollet kufitare.
Komisioni Europian ka lejuar pezullimin e përkohshëm të sistemit në raste të jashtëzakonshme kur krijohen pritje të tepërta, ndërsa disa vende, si Portugalia, kanë njoftuar shtimin e personelit kufitar për sezonin veror.
Ndërkohë, BE-ja po përgatit edhe sistemin ETIAS, një autorizim elektronik udhëtimi për shtetasit e vendeve që nuk kanë nevojë për vizë. Ky sistem pritet të hyjë në fuqi në fund të vitit 2026 dhe do të kushtojë 20 euro për aplikim./L.F-dritare.net