Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Boll numërove kaloritë. Kur ha, sa shpejt ha dhe sa e përtyp ushqimin ndikon te pesha

Boll numërove kaloritë. Kur ha, sa shpejt ha dhe sa e përtyp

BBC

Numërimi i kalorive prej kohësh konsiderohet si çelësi për mbajtjen nën kontroll të peshës trupore. Logjika duket e thjeshtë: sa kalori marrim nga ushqimi dhe sa kalori djegim gjatë ditës. Por kërkimet e fundit tregojnë se procesi është shumë më i ndërlikuar dhe se jo të gjitha kaloritë ndikojnë në të njëjtën mënyrë në organizëm.

Shkencëtarët po theksojnë gjithnjë e më shumë se mënyra se si trupi ynë e përpunon ushqimin ndikohet jo vetëm nga sasia që hamë, por edhe nga koha kur ushqehemi, shpejtësia me të cilën hamë dhe madje edhe nga mënyra se si e përtypim ushqimin. Në këtë proces luan rol edhe bashkëveprimi me mikrobet që jetojnë në zorrë, të njohura si mikrobioma e zorrëve.

Ekspertët e ushqyerjes thonë se koha e vakteve ka rëndësi për mënyrën si tretet ushqimi dhe si përthithen lëndët ushqyese. Disa studime kanë treguar se personat që konsumojnë pjesën më të madhe të kalorive në mëngjes humbin më lehtë në peshë sesa ata që hanë të njëjtën sasi kalorish më vonë gjatë ditës. Po ashtu, kufizimi i intervalit kohor mes vaktit të parë dhe atij të fundit mund të ndihmojë në uljen e marrjes totale të kalorive dhe në reduktimin e yndyrës trupore.

Një tjetër element i rëndësishëm është shpejtësia e të ngrënit. Personat që hanë shpejt kanë më shumë gjasa të konsumojnë më tepër ushqim, pasi trupit i duhet kohë për të çliruar hormonet që japin ndjesinë e ngopjes. Kur ushqimi konsumohet ngadalë, organizmi lëshon më shumë hormone që ndihmojnë në kontrollin e oreksit, duke bërë që njeriu të ndihet i ngopur për më gjatë dhe të hajë më pak më vonë.

Boll numërove kaloritë. Kur ha, sa shpejt ha dhe sa e përtyp

Rëndësi ka edhe vetë struktura e ushqimit. Ushqimet e plota, si një mollë e tërë apo bajamet, përthithen ndryshe nga organizmi krahasuar me ushqimet e përpunuara ose të shtypura, si pureja e mollës apo bajamet e bluara. Sa më i përpunuar të jetë ushqimi, aq më shpejt mund të tretet dhe të përthithet, gjë që shpesh lidhet me konsum më të lartë kalorish dhe me rritje të peshës.

Edhe mënyra si përtypet ushqimi ndikon në këtë proces. Për shembull, nëse bajamet përtypen mirë, trupi mund të përthithë më shumë kalori prej tyre. Nëse përtypen më pak, një pjesë e tyre kalon pa u tretur plotësisht, çka do të thotë se jo të gjitha kaloritë përthithen.

Boll numërove kaloritë. Kur ha, sa shpejt ha dhe sa e përtyp

Studiuesit kanë vënë re gjithashtu se jo të gjithë njerëzit reagojnë njësoj ndaj të njëjtit ushqim. Një person mund të ketë rritje më të madhe të sheqerit në gjak pas konsumit të një bananeje, ndërsa një tjetër pas konsumit të domates. Kjo lidhet pjesërisht me përbërjen e ndryshme të mikrobiomës së zorrëve, e cila ndihmon në metabolizimin e ushqimit.

Kjo është edhe arsyeja pse disa njerëz e mbajnë më lehtë peshën nën kontroll, ndërsa të tjerë jo, edhe kur duken sikur ushqehen në mënyrë të ngjashme. Sipas studiuesve, këto dallime po hapin rrugën për një qasje më të personalizuar ndaj ushqyerjes, ku dieta mund të përshtatet sipas reagimit individual të organizmit.

Megjithatë, ekspertët bien dakord për disa parime bazë: një regjim i shëndetshëm ushqimor duhet të përfshijë më shumë fibra, fruta dhe perime, ndërsa duhet të kufizohen sheqeri, kripa, yndyrat dhe ushqimet ultra të përpunuara. Në të njëjtën kohë, këshillohet që ushqimi të konsumohet më ngadalë, më herët gjatë ditës dhe me sa më shumë larmi ushqimesh që ushqejnë edhe mikrobet e dobishme të zorrëve.

Në fund, mesazhi i studiuesve është i qartë: për të kuptuar më mirë lidhjen mes ushqimit dhe peshës, nuk mjafton vetëm të numërosh kaloritë. Po aq e rëndësishme është edhe mënyra se si, kur dhe çfarë forme ka ushqimi që vendosim në pjatë./L.F-dritare.net