Luljeta Bozo: Dënoj diktaturën për nderoj shkencëtarët dhe gjithë profesionistët e asaj kohe!
Dritare.net
Inxhinierja Luljeta Bozo e para në listën e PS për deputete në qarkun e Tiranës tha se deklarata e saj e para disa ditëve në lidhje me regjimin komunist u shtrembërua qëllimisht. Ajo u shpreh se e dënon diktaturën komuniste.
“Unë kam një jetë të jetuar me parimet e me punën time dhe bindjet e mia as nuk i kam negociuar, as kam ndërmend t’i negocioj në këtë moshë me askënd! Për më tepër nuk kam ndërmend të merrem me ata që merren me shtrembërimin e fjalëve te mia, për qëllime të rëndomta politike. Diktaturën komuniste e dënoj me forcë dhe Enver Hoxha padyshim ishte një diktator. Por refuzimi i çdo relativizmi të krimeve të diktaturës, nuk më pengon dot të vlerësoj me respekt shkencëtarët dhe profesionistët e asaj kohe dhe gjithë popullin e thjeshtë që kanë punuar me ndershmëri. Pafuqia për të mos e parë atë kohë vetëm bardhezi është sindromë e servilëve apo spiunëve të atëhershëm, që janë “xhelatët” e mendimit ndryshe të këtyre 30-vjetëve. Kush kapet pas Enverit për të sulmuar të tjerët është në fakt një zëdhënës i pavetëdijshëm i së keqes së asaj diktature. Ata që shajnë, akuzojnë dhe shtrembërojnë njësoj si xhelatët e mendimit ndryshe asokohe. Ekstremet përputhen dhe më kujtohet Vaclav Haveli që thotë: Komunisti më i zi është komunisti antikomunist! Kam vetëm keqardhje për ta”, tha Bozo./L.F-dritare.net