Sali Berisha mbledh Kryesinë: PD duhet të zgjohet nga apatia
Dritare.net

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, paralajmëroi një riorganizim të thellë të PD-së, duke deklaruar se partia do të funksionojë si “partia e seksionit”, me fokus te baza dhe strukturat lokale. Gjatë mbledhjes së Kryesisë, ai kërkoi hapje ndaj prurjeve të reja dhe heqjen e barrierave që sipas tij kanë penguar aktivizimin e demokratëve. Berisha kritikoi gjithashtu apatinë dhe mungesën e eficencës në opozitë, duke theksuar nevojën për më shumë angazhim, dixhitalizim dhe përdorim të inteligjencës artificiale në funksion të forcimit të PD-së.
Pjesë nga fjala e Berishës:
Berisha: "PD do jetë partia e seksionit! Ripërtëritja nënkupton anëtarësime të reja. Të lëmë mënjanë inercinë dhe apatinë dhe të shfrytëzojmë me eficencë potencialet tona
PD, në rrafshin organizativ, do jetë partia e seksionit.
Ne jemi parti e territorit, pra ne jemi parti e seksionit.
Dhe, përparësi absolute në piramidën e saj merr themeli, i cili është seksioni.
Ripërtëritja nënkupton anëtarësime të reja.
Nënkupton zhdukjen e çdo barriere që pengon anëtarësimet e reja.
Nënkupton hapjen e dyerve në nivel seksioni dhe në të gjitha nivelet për prurje të reja, angazhime të reja.
Ju garantoj se janë me mijëra e mijëra demokrate e demokratë që të gatshëm të anëtarësohen dhe të marrin përgjegjësi, por që nuk u ofrohet kjo mundësi. Nuk u ofrohet ky mjedis.
Nuk u ofrohet sepse, e kam theksuar dhe e theksoj, sëmundja e opozitarizmit është inercia, është apatia.
Dhe kjo sëmundje bën që të tregohemi indiferentë ndaj këtij procesi që është jetik për PD-në.
PD sot më shumë se kurrë ka nevojë për eficencë. Eficencën e çdonjërit prej drejtuesve, prej anëtarëve të saj.
Ka nevojë për treguesit e matjes së kësaj eficencë në mënyrë që potencialet e saj të shfrytëzohen në shkallë maksimale.
PD ka jetik shfrytëzimin e çdo potenciali që ofron dixhitalizimi dhe urtësia artificiale në mënyrë që ne të mund të shumëfishojmë fuqinë tonë, aftësitë tona.
Programi i saj apo vizioni i saj është absolutisht më i miri që ekziston.
Por ne kemi fatin e madh dhe privilegjin e veçantë që programin e kësaj partie ta konsultojë, ta shqyrtojmë dhe rishqyrtojmë me think-tanket më të mira që ekzistojnë sot në Europë dhe në SHBA."/K.C/dritare.net