Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

DEA godet kartelin e Sinaloas. 617 të arrestuar dhe tonelata drogë të sekuestruara

DEA godet kartelin e Sinaloas. 617 të arrestuar dhe tonelata drogë

Administrata Amerikane e Zbatimit të Drogës (DEA) ka njoftuar se ka arrestuar 617 anëtarë të kartelit të Sinaloas gjatë një operacioni ndërkombëtar të zhvilluar nga 25 deri më 29 gusht.

Operacioni, që zgjati një javë, synonte çmontimin e një prej organizatave më të fuqishme kriminale në botë, e cila prej vitesh ka përmbytur SHBA-në me fentanil, metamfetaminë, kokainë dhe heroinë.

Sipas DEA-së, në kuadër të aksionit u sekuestruan:

480 kilogramë fentanil pluhur
714,707 pilula false
2,209 kilogramë metamfetaminë
7,469 kilogramë kokainë
16.55 kilogramë heroinë
Gjithashtu, agjentët konfiskuan më shumë se 11 milionë dollarë në para, asete me vlerë mbi 1.6 milionë dollarë, si dhe 420 armë zjarri.

“Çdo kilogramë helm që ndalim, çdo dollar që konfiskojmë dhe çdo arrest që kryejmë përfaqëson jetë të shpëtuara dhe komunitete të mbrojtura,” deklaroi administratori i DEA-së, Terrance Cole, duke shtuar se agjencia “nuk do të ndalet derisa karteli i Sinaloas të shkatërrohet plotësisht.”

Operacioni u zhvillua nga 23 degë të brendshme të DEA-së dhe shtatë zyra ndërkombëtare, në bashkëpunim me partnerë të huaj. Sipas agjencisë, karteli ka dhjetëra mijëra anëtarë e bashkëpunëtorë që operojnë në të paktën 40 vende.

Ndërkohë, në Meksikë, Sekretari i Sigurisë, Omar García Harfuch, u shpreh se nuk mund të flitet për fundin e kartelit të Sinaloas:

“Ky kartel nuk ka pasur kurrë një lider të vetëm, por disa degë e figura drejtuese, nga Ismael ‘El Mayo’ Zambada, te Joaquín ‘El Chapo’ Guzmán, djemtë e tij dhe bashkëpunëtorë të tjerë.”

Ky zhvillim erdhi pak ditë pasi Ismael Zambada, një nga themeluesit e kartelit, pranoi fajësinë në një gjykatë federale në Nju Jork për trafik droge, pastrim parash dhe përdorim armësh, duke i dhënë fund mbi pesë dekadave aktivitet kriminal./L.F-dritare.net