
E dini pse nuk kanë më shije domatet? Flet veterineri!
Dritare.net
Në një rrëfim për Dritare TV, veterineri 92-vjeçar Aleksandër Jorgaqi, dikur drejtues i ndërmarrjes më të madhe bujqësore në Shqipëri, solli një nga krahasimet më domethënëse për realitetin bujqësor dhe blektoral të vendit: nga stanet që dikur ishin jetë, në kodrat e Shqipërisë, sot ka vetëm heshtje. Ndërsa serat moderne prodhojnë, por pa shije, sepse mungon bagëtia që ushqente tokën.
“Kur vij nga Saranda në Tiranë, nuk shoh më asnjë stan. Disa dekada më parë, rruga ishte e mbushur me stane. Sot, janë të gjitha të braktisura.”
Ndërkohë, Shqipëria ka mijëra sera të ndërtuara, për të cilat Jorgaqi thotë se janë të mirëpritura, por i mungon thelbi: toka është e thatë, e lodhur, sepse nuk ka më plehun organik të bagëtisë.
“Serat sot ushqehen me kimikate, sepse nuk ka më blegtori. Nuk ka më stallë që të prodhojë pleh natyral. Prandaj edhe domatja s’ka më shije, dhe konsumatori nuk di çfarë ha.”
Ai kujton me mall kohën kur prodhimi shqiptar kontrollohej dhe certifikohej nga specialistë ndërkombëtarë. Çekët që merrnin domatet nga serat e Roskovecit, sipas tij, bënin diferencën mes atyre që ishin rritur me pleh organik dhe atyre të kimikatizuara.
“Nuk mund të kesh një bujqësi të shëndetshme pa blegtori. Domethënë pa stan, pa stallë, pa bagëti. Pa këto, toka vdes.”
Rrëfimi i Jorgaqit është një alarm, por edhe një thirrje për kthimin te toka dhe kujtesa e saj: blerja e qumështit me bidon, shija si kashtë e mishit të importuar dhe domatja pa shije janë pasoja të drejtpërdrejta të braktisjes së stanit./L.F-dritare.net

















