
Çfarë tha kreu i SPAK-ut për çështjen Bankers Petroleum!
Dritare.net
Kreu i SPAK-ut Altin Dumani është pyetur këtë të enjte gjatë një takimi informal me gazetarët lidhur me ecurinë e hetimeve për çështjen “Bankers Petroleum”, e cila aktualisht po trajtohet nga Prokuroria e Fierit.
Dumani tha se është në dorën e Prokurorisë së Fierit të vendosë nëse do të shpallë moskompetencën për t’ia kaluar çështjen SPAK-ut.
“Është në të drejtën e Prokurorisë së Fierit që të vlerësojë nëse duhet të shpallë moskompetencën dhe ta sjellë. E njoh përciptazi si ju. Ne nuk mund të marrim iniciativën, ne mund ta tërheqim atë dosje vetëm nëse për të njëjtin fakt penal kemi regjistruar diçka. Në këtë kuptim, mbetet në kompetencën e Fierit nëse na e sjell apo jo neve,” tha Dumani.
Në fillim të këtij muaji, Prokuroria e Fierit caktoi 14 masa sigurie ndaj personave të përfshirë në hetimin për kompaninë “Bankers Petroleum Albania Ltd”, e cila po përballet me akuza të rënda si: “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar”, “Fshehja e të ardhurave”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Moskryerja e detyrave nga organet tatimore”.
Pas një hetimi gjashtëmujor, autoritetet kanë arritur të grumbullojnë prova që sipas tyre krijojnë dyshime të arsyeshme për konsumimin e këtyre veprave penale. Deri më tani janë ekzekutuar 9 masa sigurie ndaj administratorit aktual të kompanisë Hongping Xiao, ish-administratorit Leonidha Çobo, si dhe ndaj disa drejtuesve të tjerë: L.Ë, A.K, K.Xh, D.G, M.Th, M.I dhe E.A. Pesë persona të tjerë janë shpallur në kërkim./K.C/dritare.net

















