
Drejtoresha e Krimeve Kibernetike: Kujdes çfarë klikoni!
Dritare.net
Drejtoresha për Hetimin e Krimeve Kibernetike, Ervina Gjana, deklaroi se falsifikimi kompjuterik dhe ndërhyrjet në të dhënat kompjuterike mbeten veprat penale më të shpeshta në fushën e krimit kibernetik. E pyetur nga gazetarët, ajo sqaroi se këto raste lidhen kryesisht me keqpërdorimin e të dhënave personale të qytetarëve, sidomos për përdorim në rrjetet sociale.
“Falsifikimi kompjuterik dhe ndërhyrjet në të dhënat kompjuterike, që lidhen me keqpërdorimin e të dhënave të qytetarëve, sidomos për t’i përdorur për rrjetet sociale. Por, këtë vit kemi bërë të mundur uljen e veprave penale, sepse kemi ofruar asistencë teknike për zgjidhjen e këtyre rasteve,” u shpreh Gjana.
Ajo theksoi rëndësinë e kujdesit nga ana e qytetarëve në përdorimin e internetit dhe në mënyrën sesi reagojnë ndaj mesazheve të dyshimta. “Qytetarët duhet të kujdesen çfarë klikojnë, në çdo mesazh që u vjen, të kujdesen për mesazhet që janë attach, duke besuar se janë mesazhe që vijnë nga banka, japin të dhënat bankare, duke rënë pre e mashtrimeve dhe vjedhjeve“, paralajmëroi ajo.
Sipas saj, përmes ndërhyrjeve teknike dhe bashkëpunimit me institucionet financiare e kompanitë teknologjike, është arritur të frenohet një pjesë e konsiderueshme e këtyre veprave penale gjatë vitit 2025./K.C/dritare.net

















