
Rama u përgjigjet shqetësimeve për Kodin e Ri Penal: Proces transparent, qeveria nuk është hartuese e draftit
Dritare.net
Kryeministri Edi Rama reagoi ndaj shqetësimeve të ngritura nga disa shoqata gazetarësh lidhur me draftin e Kodit të Ri Penal, duke theksuar se ky është një proces demokratik dhe transparent, në të cilin qeveria është vetëm një nga shumë palët e përfshira.
Në një deklaratë publike, Rama sqaroi se drafti aktual nuk është hartuar nga Ministria e Drejtësisë apo Këshilli i Ministrave, por nga një grup i pavarur ekspertësh të fushës juridike, nën drejtimin e Profesor Arben Rakipit, Drejtor i Shkollës së Magjistraturës.
“Shoh që disa shoqata gazetarësh na kanë bërë një thirrje urdhëruese për të ndërhyrë urgjentisht në draftin e Kodit të Ri Penal, çka tregon se ata që duhet të informojnë publikun nuk e kanë kuptuar ende që qeveria nuk është autore e këtij drafti,” tha Rama.
Ai shtoi se qeveria aktualisht po e studion draftin për të formuar qëndrimin e saj, njësoj siç pritet të bëjnë të gjitha palët e interesuara, përfshirë shoqatat e gazetarëve dhe aktorët e sistemit të drejtësisë. Kryeministri i ftoi të gjithë aktorët që të përfshihen në procesin e konsultimit, në vend që të reagojnë me deklarata të nxituara e sipërfaqësore.
“Nuk ka asnjë rrezik për lirinë e shtypit. Përkundrazi, kjo mënyrë e hapur dhe e hapësirë-dhënë për çdo palë është një shembull respekti dhe përfshirjeje,” theksoi Rama.
Sipas tij, pas përfundimit të konsultimeve me të gjitha palët, Ministria e Drejtësisë do ta marrë përsipër versionin final të draftit, i cili më pas do të konsultohet edhe me Komisionin Europian, pa të cilin nuk mund të procedohet më tej në Parlament.
“Shqipëria po shkon në BE, jo në BRSS,” përfundoi Rama, duke garantuar opinionin publik se ky është një proces i bazuar në standarde evropiane dhe në frymën e demokracisë./L.F-dritare.net

















