
Fatos Çoçoli: Pse e nisi tani Rama, aksionin për hapësirat publike!
Dritare.net
I ftuar në emisionin Dekalog nga Roland Qafoku në DritareTv Fatos Çoçoli ka komentuar aksionin e qeverisë për lirimin e hapësirave publike, duke thënë se ky veprim nuk është i rastësishëm dhe lidhet drejtpërdrejt me momentin politik në të cilin ndodhet kryeministri Edi Rama.
“Shumë pyesin pse nuk u bë ky aksion në 12 vitet e fundit të qeverisjes së PS-së. E vërteta është se të kesh frikë nuk është turp. Rama ka pasur frikë ta ndërmerrte më herët një nismë të tillë, sepse kostoja politike do të ishte shumë e lartë,” u shpreh Çoçoli.
Sipas tij, vetëm tani që ndodhet në mandatin e katërt dhe është politikisht më i fortë se kurrë, kryeministri ka vendosur të përballet me këtë sfidë dhe të marrë përsipër pasojat.
“Ai e bëri tani këtë veprim sepse ndjehet i sigurt dhe nuk rrezikon politikisht. Kjo është forca e mandatit të katërt,” shtoi Çoçoli.
Eksperti theksoi gjithashtu se aksioni përputhet me nevojën për të përçuar mesazhe pozitive drejt Bashkimit Europian, në një moment kyç për procesin e integrimit.
“Kemi BE-në në pragun e derës. Çdo hap që ndërmerret për forcimin e shtetit të së drejtës dëgjohet me kujdes në Bruksel. Rama nuk e thotë kot ‘Shqipëria e 2023-tës’. E gjitha kjo është pjesë e një procesi më të gjerë që synon përmirësimin e imazhit të vendit,” u shpreh Çoçoli.
Sipas tij, edhe veprimet që duken të ashpra, si ndalimi i shitjes së produkteve pa fatura, kanë një mesazh të qartë askush nuk është mbi ligjin./E.P-dritare.net

















