Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Rama për Thethin: S’kemi prerë në besë askënd!

Rama për Thethin: S’kemi prerë në besë askënd!

Kryeministri Edi Rama ka reaguar ndaj kritikave që qeveria "preu në besë" banorët e Thethit me aksionin për shembjen e ndërtimeve pa leje në këtë zonë të mbrojtur. Në një takim me deputetët e Tiranës, Rama theksoi se ndërhyrja ka qenë e domosdoshme dhe e justifikuar, duke hedhur poshtë akuzat për mungesë transparence apo përfshirje politike.

“Mbetet për t’u parë se çfarë përgjegjësie do të marrë KLP lidhur me zonjën Gjeli, e cila nuk ka pranuar as të nisë hetimin, bazuar në denoncimet e bëra. Dua të theksoj se në Theth janë goditur 40 subjekte, të cilat në disa raste kanë pasur më shumë se një grehinë – edhe dy apo tre,” deklaroi Rama.

Ai shtoi se megjithëse ka pasur denoncime të shumta pranë organeve të drejtësisë, Prokuroria nuk ka ndërmarrë asnjë veprim, ndërsa Policia e Shtetit dhe Bashkia Shkodër kanë marrë përgjegjësitë që u takojnë përmes strukturave përkatëse.

Rama iu përgjigj edhe një deklarate të një prifti, i cili kishte folur për "joshje dhe premtime të thyera".

“U habita se si një njeri i Zotit mund të thotë se i kemi prerë në besë. Ne nuk i kemi prerë në besë askënd. Kemi qenë në Theth me kryetarin e bashkisë, me Fondin Shqiptar të Zhvillimit dhe me Kadastrën, dhe kemi përmbushur premtimin për legalizimin e shtëpive të vjetra – rreth 300 legalizime janë bërë për pronat që banorët kishin nga gjyshërit e tyre,” theksoi ai.

Rama shtoi se nuk ka pasur kurrë ndonjë premtim që të justifikonte ndërtimet pa leje në këmbim të votës apo mbështetjes politike.

“Ne nuk kemi premtuar dhe nuk kemi lejuar kurrë që dikush të ndërtojë pa leje. Të gjitha ndërtimet që janë prishur janë ndërtuar në muajt e fundit, jo në kohën kur kemi qenë ne atje. Ka pasur një ‘turravrap’ për të ndërtuar – jo vetëm nga disa banorë, por edhe nga persona që nuk kanë asnjë lidhje me Thethin, por janë ngjitur lart për të përfituar,” tha kryeministri./E.P-dritare.net