Alarmi për përmbytjet në Shkodër, ministri Vengu në terren: Këto janë zonat më të rrezikuara
Dritare.net

Autoritetet qendrore dhe vendore janë vënë në lëvizje për menaxhimin e situatës së shkaktuar nga reshjet intensive, të cilat kanë rritur rrezikun e përmbytjeve, veçanërisht në qarkun e Shkodrës. Pas mbledhjes së Komitetit Kombëtar të Emergjencave Civile, përfaqësues të lartë inspektuan nga afër situatën në hidrocentralin e Vaut të Dejës dhe masat e marra për përballimin e situatës.
Në një deklaratë nga Vau i Dejës, Ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu tha se të gjitha dikasteret, përfshirë Agjencinë e Mbrojtjes Civile, Ministrinë e Mbrojtjes, Forcat e Armatosura dhe Ministrinë e Bujqësisë, kanë shpërndarë forcat në terren. Një vëmendje e veçantë i është kushtuar menaxhimit të kaskadës së Drinit, ku Korporata Elektroenergjetike Shqiptare vlerësohet për menaxhimin e duhur të rezervave dhe prurjeve. Ky menaxhim bazuar në parashikimet hidrometeorologjike, pritet të evitojë shkarkimet masive dhe përmbytjet e mëdha.
Në terren po dislokohen kapacitete shtesë në bashkitë Shkodër dhe Vau i Dejës. Forcat e Armatosura dhe bordet e kullimit janë në gatishmëri të plotë me ekskavatorë dhe personel për të ndërhyrë në pikat kritike. Përfaqësuesit e pushtetit vendor konfirmuan se ekipet janë tashmë të shpërndara sipas zonave dhe se është bërë një punë paraprake për pastrimin e kanaleve kryesore kulluese.
Sipas tyre, rrjeti i kullimit aktualisht është në gjendje optimale, çka jep besim për një menaxhim efektiv të situatës. Megjithatë, disa zona mbeten me risk të lartë. Autoritetet identifikuan si pika problematike historike zonën e Berdicës, për shkak të pozicionimit pranë lumit Buna dhe përrenjve përreth, si dhe zonën e Obotit, e cila paraqet një nivel të konsiderueshëm rreziku. Inspektimet do të vijojnë në këto zona me qëllim që strukturat shtetërore të jenë sa më pranë popullsisë civile gjatë këtyre momenteve kritike./L.F-dritare.net