
Gazetari zbulon skemën: Ja pse Erisa Xhixho hyn në parlament para Jorida Tabakut!
Dritare.net
Në emisionin “Dekalog” të Roland Qafokut në Dritare TV, gazetari Ardit Rada komentoi mbi shanset elektorale të deputeteve Erisa Xhixho dhe Jorida Tabaku. Sipas analizës së tij, Erisa Xhixho ka më shumë gjasa të rikthehet në parlament përpara Jorida Tabakut. Ky vlerësim bazohet në faktorë si pozicionimi politik, mbështetja brenda partive përkatëse dhe dinamika aktuale elektorale. Rada sugjeroi se Xhixho, si nënkryetare e Partisë së Lirisë, ka një pozicion më të favorshëm për të siguruar një mandat të ri, ndërsa Tabaku përballet me sfida më të mëdha brenda Partisë Demokratike.
"Partia Socialiste ruan struktura të mirëqëna dhe të mirëfillta si në kohën e Partisë së Punës. Funksionon me organizata bazë, funksionon me anëtarë organizate, me sekretarë dhe kryetarë organizate, me lista anëtarësh, me kuotacione, me karta anëtarësie, me gjithçka. Partia Demokratike, se partitë e reja nuk mund t'i fajësojë se s'e kanë eksperiencën e organizimit, por Partia Demokratike jo vetëm që i injoroi strukturat, jo vetëm që i ka zhbërë strukturat e saj, jo vetëm që sa herë ka zgjedhje largon kryetarë degësh me hatërmbetje të mëdha, pse s'i përfshin nëpër lista kandidatësh apo në zgjedhje lokale si kandidat për për kryebashkiakë. Por nga ana tjetër nuk arriti të bashkonte strukturat e saj me strukturat e aleatëve, se presupozohet që partia e Ilir Metës është një parti e madhe, shumë e rëndësishme me 200.000 vota saqë Berisha i kishte një borxh kaq të madh sa t'i fuste katër deputetë të sigurtë në listë. Listat që përpiloi Berisha personalisht ishte një sjellje shumë e shpifur ndaj demokratëve. Demokratët që votonin për Jorida Tabaku në Tiranë votuan Joridën, por është e sigurt se para do hyjë në Kuvend Erisa Xhixho. Pastaj po pati vend për Joridën, në Parlamentin e ri. Për demokratët që duan të votojnë Grigels Muçollarin do hyjnë njëherë Fatmir Mediu dhe Tedi Blushi. Pastaj po ngeli ndonjë vend mund të hyjë edhe Grigelsi. Dhe rezultati deri tani tregon që Berisha në listën e Tiranës minimalisht nga 12 veta që i ka të sigurt, katër i ka aleatë pa kontribute në Partinë Demokratike. Sepse Mediu nuk ka elektorat së pari që të thuash ka kontribut të jashtëzakonshëm ndër vite dhe LSI-ja nuk ka fare kontribut në qeverisjen me Berishën, përkundrazi ka sjellë Edi Ramën në pushtet, ka garuar në krah Edi Ramës në disa zgjedhje lokale dhe i ka dhënë Edi Ramës fitore në shumicën e bashkive ose në bashkitë kryesore të vendit.", tha Ardit Rada në DritareTv./K.C/dritare.net

















