Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Humbën përsëri, vendi fitoi/ Rama: Shqipëria drejt fazës përmbyllëse të negociatave

Humbën përsëri, vendi fitoi/ Rama: Shqipëria drejt

Kryeministri Edi Rama ka reaguar përmes një postimi lidhur me procesin e integrimit europian të Shqipërisë, duke deklaruar se më 26 maj në Bruksel do të zhvillohet Konferenca Ndërqeveritare Shqipëri–BE, e cila sipas tij do të shënojë mbylljen e fazës hyrëse dhe hapjen e fazës përmbyllëse të negociatave të anëtarësimit.

Në reagimin e tij, Rama hodhi poshtë pretendimet për bllokim të procesit ose ndëshkim të Shqipërisë, duke e cilësuar ecurinë e negociatave si një histori suksesi të ndërtuar përmes punës dhe përkushtimit institucional.

Kryeministri e cilësoi këtë si një moment krenarie për vendin dhe falënderoi institucionet, ekipet negociatore dhe qytetarët për mbështetjen në procesin e integrimit europian.

"Thanë negociatat u bllokuan. Thanë Shqipëria u ndëshkua. Thanë Europa u zgjua dhe narkoregjimi u zbulua. U lëshuan rrugëve me molotovë, për ta djegur Shqipërinë në sytë e të huajve. U lëshuan nëpër Europë me thasë balte e llumi, për ta zhgarravitur Shqipërinë në sytë e të huajve. U gënjyen si gjithnjë nga mendja e tyre dhe gënjyen edhe ata gjithnjë e më të paktë, që shkojnë me atë mendje. Humbën përsëri. Dhe Shqipëria përsëri fitoi. Më 26 maj në Bruksel, Konferenca Ndërqeveritare Shqipëri - BE vulos me sukses fazën hyrëse dhe çel fazën përmbyllëse të negociatave të anëtarësimit. Sepse ndryshe nga si e përflasin ditë e natë ata që gjithnjë humbasin në fund, Shqipëria Europiane që po ndërtojmë është një histori suksesi, e cila shkruhet me vizion, punë e përkushtim, hap pas hapi, e në fund gjithnjë fiton.

Kjo është një tjetër ditë krenarie për Shqipërinë, për skuadrën tonë të madhe, për të gjitha repartet e saj në çdo pjesë të fushës së përgjegjësive publike, për shumicën parlamentare, për qeverinë, për institucionet e pavarura, e sigurisht për ata që i përfaqësojnë ato në tryezën e negociatave për Shqipërinë 2030 në BE. Urime të gjithëve e mbi të gjitha faleminderit çdo shqiptari e shqiptareje, që na beson e na mbështet në rrugën e këtij misioni historik. Forca Shqipëria!", shkruan kryeministri Rama në rrjetet sociale./L.F-dritare.net