Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Tërmeti i fuqishëm pranë Rusisë mund të shkaktojë shpërthime vullkanike. Ja pasojat!

Tërmeti i fuqishëm pranë Rusisë mund të shkaktojë

Një tërmet i fuqishëm me magnitudë 8.8 që goditi së fundmi brigjet lindore të Rusisë mund të ketë pasoja shumë më të gjera se sa lëkundjet e ndjera në rajon. Ekspertët paralajmërojnë se ky tërmet mund të ndikojë në sistemet nëntokësore të presionit dhe të rrisë rrezikun për shpërthime vullkanike përgjatë të ashtuquajturës “Unaza e Zjarrit” të Oqeanit Paqësor.

Unaza e Zjarrit është një rrip i gjatë rreth 40,000 kilometra që përfshin zinxhirë vullkanesh dhe zona të shpeshta tërmetesh përreth Oqeanit Paqësor. Ajo përmban rreth 75% të të gjithë vullkaneve aktive në botë dhe është një nga zonat më aktive gjeologjikisht në Tokë.

Sipas ekspertëve, tërmeti i fuqishëm ka çliruar një sasi të madhe energjie, mjaftueshëm për të ndryshuar ekuilibrin e presioneve në thellësi të Tokës, edhe në rajone të largëta nga epiqendra. Këto ndryshime mund të destabilizojnë dhomat e magmës nën vullkanet aktive dhe të shkaktojnë shpërthime.

Michael Manga, gjeoshkencëtar në Universitetin e Kalifornisë, Berkeley, deklaroi për DailyMail.com:
"Vullkanet në harkun vullkanik, përfshirë ato në Kili, SHBA (Cascade Range), Japoni, Indonezi dhe Kamçatkë, kanë tendencë të shpërthejnë pas tërmeteve."

Ai shtoi se jo të gjithë vullkanet do të preken, por ato në pjesën më perëndimore të harkut janë më të rrezikuara. Kjo përfshin më shumë se 100 vullkane që shtrihen në territorin e Rusisë, Japonisë, Filipineve dhe Indonezisë.

Shkencëtarët janë në gatishmëri të shtuar për të monitoruar çdo shenjë aktiviteti të pazakontë vullkanik në javët dhe muajt në vijim, pasi efektet e tërmeteve të mëdha mbi sistemet vullkanike mund të shfaqen me një vonesë të konsiderueshme kohore./L.F-dritare.net