
Altin Dumani: Kjo është dosja më prioritare në SPAK
Dritare.net
Kreu i SPAK, Altin Dumani, ka deklaruar sot për mediat se çështja e 21 Janarit ndodhet ende në fazën e hetimit paraprak dhe është një prej dosjeve prioritare për Prokurorinë e Posaçme.
“Çështja është në fazën e hetimit paraprak. SPAK ka marrë në konsideratë edhe vendimin e Gjykatës së Lartë dhe atë të Gjykatës së Strasburgut,” tha Dumani, duke iu referuar vendimeve që kanë cilësuar ngjarjen si një krim me përgjegjësi shtetërore.
Ai theksoi se prokurori i çështjes është ai që vendos mbi mënyrën e zhvillimit të hetimeve dhe radhën e marrjes në pyetje të personave të përfshirë.
Deklarata e Dumanit vjen në një kohë kur opinioni publik kërkon zbardhjen e plotë të ngjarjes së 21 janarit 2011, ku humbën jetën katër protestues gjatë një demonstrate para Kryeministrisë. Dosja ka qëndruar për një dekadë pa progres të dukshëm, ndërsa SPAK ka marrë në dorë hetimet pas vendimeve ndërkombëtare që kërkojnë drejtësi për viktimat./L.F-dritare.net

















