Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Ja çfarë i bënë në burg Flamur Pislit! Spartak Poçi tregon për herë të parë!

Ja çfarë i bënë në burg Flamur Pislit! Spartak

Ngjarja e marrjes peng të një autobusi grek nga Flamur Pisli, një i ri shqiptar nga Burreli, mbetet një nga episodet më të rënda dhe më dramatike të fundviteve ’90, jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për Greqinë. I ftuar në emisionin Dekalog nga Roland Qafoku në DritareTV, ish-ministri i Brendshëm Spartak Poçi, në një rrëfim të gjatë dhe emocional, ka zbardhur për herë të parë detaje të panjohura mbi atë çfarë e çoi Pislin drejt këtij akti ekstrem dhe si përfundoi gjithçka me një ndërhyrje fatale të forcave speciale.

Spartak Poçi tregon se pengmarrja ndodhi vetëm 10 ditë pasi ai kishte marrë detyrën si ministër i Brendshëm. Lajmin e mori krejt rastësisht, teksa largohej nga një aktivitet diplomatik.

“Më vjen një pjesëtare e stafit të ambasadës greke dhe më thotë: ka ndodhur kjo dhe kërkojmë që autobusi me pengmarrësin të lejohet të futet në Shqipëri. Ishte krejt e papritur dhe as nuk e dija mirë çfarë kompetencash kisha.”

Autobusi ishte marrë peng në veriun e Greqisë dhe po drejtohej drejt Shqipërisë, me 20 e ca pasagjerë grekë në bord.

Kush ishte Flamur Pisli

Sipas Poçit, Flamur Pisli nuk ishte një person problematik. Përkundrazi.

Duke folur për prejardhjen e Flamur Pislit, Spartak Poçi thekson se ai vinte nga një familje e ndershme dhe e respektuar, pa asnjë precedent problematik.

“Ishte një djalë i mirë, djalë i edukuar mirë. Babai i tij ishte hero i punës socialiste, traktorist i famshëm në atë kohë. Njerëz të mirë, njerëz punëtorë.”

Sipas Poçit, kjo e bën edhe më të rëndë dramën që përjetoi Flamur Pisli, pasi ai nuk vinte nga një mjedis kriminal, por nga një familje e thjeshtë, e ndërtuar mbi punën dhe ndershmërinë.

“Familje punëtore, njerëz. Dhe ky, pas asaj që i ndodhi në burg, pësoi një tronditje jashtëzakonisht të fortë nervore.”

“Ishte një djalë që punonte prej kohësh në Greqi, emigrant, me sjellje korrekte, pa asnjë problem me ligjin.”

Ai shërbente në ambientet e një komisariati policie grek, në zyrën e një funksionari, jo shumë të lartë, por me autoritet. Marrëdhëniet kishin qenë normale, deri në momentin kur Pisli kërkoi pagën e prapambetur.

Konflikti për 60 mijë dhrahmi dhe arrestimi

Flamur Pisli kishte kërkuar 60 mijë dhrahmi, pagesë për punën e bërë sipas marrëveshjes që kishte pasur. Por reagimi ishte poshtërues.

“I tha: po të mbaj me bukë, pare nuk të jap. Kur ky nguli këmbë, e arrestoi si i paligjshëm dhe e futi në burg.”

Tortura në burg:

Ajo që ndodhi më pas, sipas Spartak Poçit, ishte pika e thyerjes psikologjike së Flamur Pislit.

“Në burg shkuan një grup kriminelësh rusë dhe e dhunuan, e rrahën dhe e përdhunuan. Këtë e mësuam edhe nga familja e tij.”

Pas kësaj, ai pësoi një tronditje të rëndë nervore.

“Ishte një djalë i edukuar mirë. Babai i tij ishte hero i punës socialiste, traktorist i famshëm. Familje punëtore, njerëz të mirë.”

Rikthimi në Shqipëri dhe heshtja para familjes

Pas lirimit nga burgu, Flamur Pisli u kthye në Shqipëri, por nuk u tregoi prindërve të vërtetën.

“Shkoi në shtëpi, nuk u tha asgjë për çfarë kishte ndodhur. U tha vetëm që greku ma punoi kështu.”

Më pas, në një kohë kur “armët ishin sheshit”, ai u armatos me automatikë, karikatorë dhe ndoshta edhe bomba, dhe u rikthye sërish klandestin në Greqi.

Marrja peng e autobusit dhe kërkesa për para

Në Greqi, Pisli përgatiti planin: mori peng një autobus me shofer dhe pasagjerë grekë, pa asnjë shqiptar brenda, përveç një shoku të tij.

“Doli para kamerave dhe tha: ‘Autobusin nuk e lëshoj pa më dhënë 60 mijë dollarë’.”

Paratë iu dorëzuan në një çantë, por kriza psikologjike nuk kishte marrë fund.

“Edhe pasi i sollën paratë, vazhdoi hakmarrjen.”

Vendimi i vështirë i autoriteteve shqiptare

Poçi fillimisht refuzoi futjen e autobusit në Shqipëri, por përballë rrezikut për 23 pengje grekë, vendimi u rishikua.

“Vendosëm blloqe, u përpoqëm ta ndalonim. Situata ishte jashtëzakonisht delikate.”

Negociatat dhe oferta për dorëzim

Vetë Spartak Poçi foli drejtpërdrejt me Flamur Pislin.

“I thashë: merr paratë që të takojnë, lëri pengjet dhe ik ku të duash. Unë dal garant që nuk do të të ndjekë njeri.”

Fillimisht, Pisli dukej se pranoi, por më pas krizat u rikthyen.

“Filloi të ulërinte: do hedh bomba, do shkoj në ambasadën greke.”

Ndërhyrja e RENEA-s dhe fundi tragjik

Autobusi u bllokua në ngjitjet e Krrabës. Forcat speciale RENEA u përgatitën për ndërhyrje. Në atë moment ndodhi tragjedia.

“Ndodhi një shkrepje arme brenda. Shoku i tij doli nga autobusi dhe ra në tokë i vdekur.”

Sipas ekspertizës, shoku u vra nga një plumb rikoshet, i qëlluar nga vetë Flamur Pisli.

“Personi i RENEA-s mendoi se po fillonte masakra dhe qëlloi.”

Flamur Pisli u vra në vend.

“Një dramë që nuk justifikohet, por as ajo që i bënë atij”

Në fund të rrëfimit, Spartak Poçi e përshkruan ngjarjen si një dramë njerëzore të pazakontë.

“Nuk justifikohet ajo që bëri, por edhe ajo që i bënë Flamur Pislit është shumë e rëndë. Kjo është simbolika e vuajtjeve të shumë emigrantëve shqiptarë.”/dritare.net