Kanë nisur anulimet turistike në Sarandë, Rama: Kam frikë se do të bëhet trend
Dritare.net

Kryeministri Edi Rama ka shprehur shqetësimin se debati dhe protestat e fundit kundër projektit turistik në Zvërnec mund të ndikojnë negativisht në sezonin turistik dhe në ekonominë lokale.
Gjatë një komunikimi publik pas takimit me banorët e zonës së Zvërnecit, Rama tha se ka nisur të shohë shenjat e para shqetësuese në tregun turistik, duke përmendur raste të anulimeve të rezervimeve, veçanërisht në zonën e Sarandës.
Sipas tij, krijimi i perceptimit se Shqipëria po përballet me tensione të mëdha sociale dhe kundërshtime masive ndaj investimeve mund të trembë turistët e huaj, të cilët planifikojnë pushimet e tyre muaj më parë.
“Para se kjo të kthehet në trend, duhet të kuptojmë se çdo anulim rezervimi prek drejtpërdrejt familjet, bizneset e vogla dhe të gjithë ata që jetojnë nga turizmi”, u shpreh Rama.
Kryeministri tha se, pavarësisht debateve dhe pretendimeve të ndryshme mbi projektin, një pjesë e fushatës kundër projektit nuk lidhet me mbrojtjen e mjedisit, por me interesa të tjera politike, ekonomike apo ideologjike, brenda dhe jashtë Shqipërisë./dritare.net