Rama për Zvërnecin: Nuk ka ende projekt, nuk ka arsye për shqetësim
Dritare.net

Në Samitin BE-Ballkani Perëndimor që po zhvillohet në Tivat të Malit të Zi, kryeministri Edi Rama iu përgjigj edhe pyetjeve lidhur me debatet e fundit për projektin e përfolur në Zvërnec. Kreu i qeverisë theksoi se aktualisht nuk ekziston ende një projekt i miratuar, ndaj sipas tij nuk ka arsye për shqetësim apo për zhvillimin e debateve të parakohshme. Rama u shpreh se fillimisht duhet të paraqitet projekti, të shqyrtohet në detaje dhe më pas të diskutohet publikisht.
“Sa i përket protestave për resortin, nuk ka kërkesa për t'u diskutuar sepse ende nuk ekziston një projekt i miratuar. Fillimisht duhet të kemi projektin, pastaj ta shohim dhe më pas ta diskutojmë. Nuk mund të diskutojmë për diçka që nuk ekziston, por që po paraqitet në rrjetet sociale përmes një lufte hibride kundër Shqipërisë dhe narrativave të rreme. Një prej tyre pretendon se projekti nuk është ai që thuhet, por një marrëveshje mes meje dhe Benjamin Netanyahut, e ndërmjetësuar nga Jared Kushner, për të sjellë palestinezët në Zvërnec. Mendoj se mediat perëndimore duhet të jenë më të kujdesshme, sepse faktet kanë rëndësi. Nuk ka ende projekt, nuk ka arsye për shqetësim dhe arkitektë, inxhinierë e peizazhistë ndër më të mirët në botë janë të angazhuar në këtë nismë. Qëllimi nuk është dëmtimi i natyrës, por krijimi i diçkaje unike, që do të jetë e jashtëzakonshme për shqiptarët dhe një dhuratë e Shqipërisë për Europën. Ky nuk është vetëm një debat mjedisor. Është edhe çështje e një lufte hibride. Ka armiq të Shqipërisë që i njohim mirë. Regjimi iranian, i përfshirë prej kohësh në sulme kibernetike kundër vendit tonë, është pjesë e përpjekjeve për të përhapur narrativën se projekti synon sjelljen e palestinezëve nga Gaza në Shqipëri.
Kjo narrativë ka marrë shumë vëmendje. Janë shpërndarë video të rreme me qindra mijëra shikime, ku pretendohet se shqiptarët brohorasin "Israel go home". Këto janë të gjitha të rreme. Nuk ka asgjë të tillë në Shqipërinë reale. Nga ana tjetër, ka njerëz që shqetësohen me të drejtë. Atyre u them të mos shqetësohen, sepse projekti ende nuk ekziston. Ne kemi vendosur standardet që duhet të përmbushë projekti dhe tani po presim që ai të paraqitet. Për t'u rikthyer te tema e zgjerimit të BE-së: a i çon fëmijët te fqinjët derisa të piqen, apo i mban në shtëpi, rreth tryezës, duke u mësuar se çfarë duhet të bëjnë? Kur të jenë pjekur, atëherë i pyet se si e shohin të ardhmen e familjes. Kjo është ajo që duhet të bëjmë edhe ne në Europë”, tha Rama./K.C/dritare.net
