Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Kaos në aeroportin e Brindisit, pasagjerë drejt Tiranës bllokohen pas devijimit të fluturimeve të Wizz Air

Kaos në aeroportin e Brindisit, pasagjerë drejt Tiranës bllokohen

Situatë kaotike është shënuar gjatë orëve të para të mëngjesit në aeroportin e Brindisit, ku qindra pasagjerë që udhëtonin drejt Tiranës kanë mbetur të bllokuar pas devijimit të dy fluturimeve të kompanisë Wizz Air për shkak të kushteve të këqija atmosferike.

Avionët, me rreth 400 pasagjerë në bord, ishin nisur nga Bolonja dhe Bergamo drejt kryeqytetit shqiptar, por moti i keq në Shqipëri e bëri të pamundur uljen në aeroportin e Rinasit. Pas një qëndrimi të gjatë në ajër, në pritje të përmirësimit të kushteve, dhe me karburantin drejt përfundimit, pilotët u detyruan të kryenin ulje emergjente në aeroportin e Salentos, në Brindisi, ku mbërritën rreth orës 03:00 të mëngjesit.

Sipas burimeve zyrtare, pasagjerët janë asistuar menjëherë pas uljes, por tensionet janë rritur me kalimin e orëve për shkak të mungesës së informacionit të qartë mbi vazhdimin e udhëtimit. Në shenjë proteste, disa prej pasagjerëve kanë thyer portat e sigurisë (gate) dhe janë futur në pistë, duke kërkuar përgjigje të menjëhershme nga kompania ajrore.

Në vendngjarje kanë ndërhyrë forcat e policisë për të menaxhuar situatën, ndërsa raportohet se rreth 100 protestues ndodhen ende në pistë. Aeroporti i Pulias i ka kërkuar Wizz Air udhëzime për hapat e mëtejshëm dhe ka aktivizuar planin e emergjencës.

Si masë alternative, janë vënë në dispozicion autobusë zëvendësues për transportimin e pasagjerëve drejt aeroporteve të nisjes, në Bergamo dhe Bolonjë. Megjithatë, protestat vijojnë, pasi pasagjerët kërkojnë të dërgohen drejt destinacionit të tyre final, Tiranës.

Pavarësisht tensioneve, autoritetet bëjnë me dije se aeroporti i Salentos po vijon operimet normalisht, ndërsa situata mbetet në monitorim të vazhdueshëm./L.F-dritare.net