Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Kërkoi lirinë, Apeli i GJKKO lë në qeli kryebashkiakun Erion Veliaj

Kërkoi lirinë, Apeli i GJKKO lë në qeli kryebashkiakun Erion

Apeli i Posaçëm ka lënë në qeli Erion Veliajn, i cili kërkoi ndryshimin e masës së sigurisë. Kryebashkiaku i Tiranës kërkoi një masë më të butë, duke ofruar edhe garanci pasurore apo çdo masë tjetër veç asaj në fuqi.

Kryetari i bashkisë së Tiranës ankimoi vendimin e 1 shkurtit të Etleva Dedës për vijimësinë e arrestit në burg. Ai kërkoi një masë më të butë, duke ofruar edhe garanci pasurore apo çdo masë tjetër veç asaj në fuqi.

Kërkesa e tij bëhet pas vendimit të kalimit të çështjes për gjykim, që sipas mbrojtjes nuk ka mundësi të prishë provat.

Kryebashkiaku në të gjitha seancat ka pretenduar se i është mohuar e drejta për mbrojtje efektive, pasi ende nuk është njohur me dosjen hetimore.

Ai ka refuzuar avokaten e caktuar kryesisht nga gjykata dhe ka kundërshtuar çdo formë mbrojtjeje të realizuar prej saj, duke argumentuar se ajo nuk ka njohje reale mbi dosjen penale dhe se një përfaqësim i tillë është në kundërshtim të plotë me interesat dhe strategjinë e tij të mbrojtjes dhe nuk përfaqëson vullnetin e tij.

Veliaj ndodhet në arrest me burg që prej 10 shkurtit 2025, ndërsa SPAK e dërgoi kërkesën për ta kaluar dosjen për gjykim vetëm 5 muaj më parë. SPAK ka renditur ndaj Veliajt 13 akuza, të tilla si korrupsion pasiv, pastrim parash, mosdeklarim pasurie, shpërdorim detyre dhe futja e sendeve në burg.

Shumica e akuzave është ajo e korrupsionit pasiv e kryer në 9 raste, në raport me disa kompani për të cilat SPAK thotë se ka marrë përfitime të parregullta në formën e shumave monetare dhe pasurive të paluajtshme, të cilët nga ana e tyre kanë marrë leje ndërtimi dhe përfituar fonde publike nga Bashkia Tiranë.

Edhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, akuzohet nga SPAK për korrupsion pasiv në 9 raste në lidhje me subjekte tregtare dhe organizata jofitimprurëse, njëjtë si Erion Veliaj. Gjithashtu, Xoxa akuzohet edhe për pastrim parash, mosdeklarim pasurie dhe fshehje e të ardhurave.