Korridori VIII, pjesë e infrastrukturës kritike ushtarake të NATO-s
Dritare.net

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, njoftoi se gjatë Ministerialit të Mbrojtjes është njohur zyrtarisht Korridori 8 si korridor sigurie për mbrojtjen kolektive. Sipas tij, ky korridor nis nga kompleksi detar Durrës–Porto Romano dhe shtrihet drejt Detit të Zi.
Vengu e cilësoi këtë zhvillim si një arritje konkrete për Shqipërinë, duke theksuar se vendi pozicionohet në zemër të infrastrukturës strategjike të Aleancës. Ai shtoi se ky vendim pritet të kontribuojë ndjeshëm në forcimin e sigurisë rajonale dhe bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes.
Në fokus të diskutimeve në ministerial ishin forcimi i bashkëpunimit ndërmjet vendeve aleate dhe rëndësia strategjike e korridoreve infrastrukturore për sigurinë kolektive.
“Sot në Ministerialin e Mbrojtjes, Korridori 8, me pikënisje në kompleksin detar Durrës–Porto Romano dhe dalje në Detin e Zi, u njoh zyrtarisht si korridor sigurie për mbrojtjen kolektive. Një arritje konkrete që e vendos Shqipërinë në zemër të infrastrukturës strategjike të Aleancës dhe forcon ndjeshëm sigurinë rajonale.”, theksoi Vengu./K.C/dritare.net