Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Kosova përkujton 27-vjetorin e Masakrës së Reçakut

Kosova përkujton 27-vjetorin e Masakrës së Reçakut

Kosova përkujton sot 27-vjetorin e Masakrës së Reçakut, një nga krimet më të rënda të kryera gjatë luftës në Kosovë, ku më 15 janar 1999 u vranë mbi 45 civilë shqiptarë të paarmatosur.

Në orët e hershme të mëngjesit të asaj dite, fshati Reçak u rrethua nga forcat serbe. Sipas dëshmive, rreth orës 06:30 filloi bombardimi me artileri të rëndë, ndërsa pas ndaljes së zjarrit, forcat serbe hynë në fshat duke kryer bastisje dhe vrasje të civilëve.

Masakra e Reçakut tronditi opinionin ndërkombëtar dhe u bë pikë kthese për angazhimin e diplomacisë botërore ndaj Kosovës. Pamjet dhe raportimet nga vendi i ngjarjes sollën në vëmendje të gjithë botën realitetin e dhunës sistematike ndaj popullatës civile shqiptare dhe zbuluan qartë natyrën e planit gjenocidal të regjimit të atëhershëm të Sllobodan Millosheviqit.

Shefi i misionit të OSBE-së në Kosovë, William Walker, vizitoi menjëherë vendin e krimit dhe e cilësoi atë si “krim kundër njerëzimit”, deklaratë që pati jehonë të madhe ndërkombëtare. Reçaku u bë kryelajm në mediat botërore dhe temë diskutimi në kancelaritë më të rëndësishme perëndimore.

Kosova përkujton 27-vjetorin e Masakrës së Reçakut

Pas kësaj masakre, çështja e Kosovës u trajtua në konferencat ndërkombëtare të Rambujesë dhe Parisit. Dështimi i tyre hapi rrugën për ndërhyrjen e NATO-s kundër forcave ushtarake serbe, çka çoi në largimin e tyre nga Kosova dhe vendosjen e administratës ndërkombëtare.

Serbia tentoi të zhdukte gjurmët e krimit, por përpjekjet e saj dështuan. Trupat e viktimave u gjetën dhe e vërteta doli në dritë. Për herë të parë, mizoritë ndaj civilëve shqiptarë tronditën thellë edhe diplomatë dhe përfaqësues të misioneve ndërkombëtare.

Masakra e Reçakut mbetet një plagë e hapur në kujtesën kolektive të Kosovës dhe një dëshmi e dhimbshme e sakrificës për liri. Përkujtimi i kësaj dite shërben si thirrje për drejtësi, kujtesë historike dhe angazhim të vazhdueshëm që krime të tilla të mos përsëriten kurrë./L.F-dritare.net