
Kur do të mbahen homazhet për mjeshtrin e kinemasë, Dhimitër Anagnosti
Dritare.net
Shqipëria i jep lamtumirën e fundit një prej figurave më të mëdha të kinematografisë, mjeshtrit Dhimitër Anagnosti. “Nderi i Kombit” u nda nga jeta më 1 shtator 2025, duke lënë pas një trashëgimi të jashtëzakonshme artistike që ka shënuar breza të tërë shqiptarësh.
Në nderim të kujtimit dhe veprës së tij, ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, njoftoi se do të organizohet një ceremoni shtetërore homazhesh publike.
“Në nderim të kujtimit dhe veprës së mjeshtrit të kinematografisë shqiptare, ‘Nderi i Kombit’ Dhimitër Anagnosti, do të organizohet Ceremonia Shtetërore e homazheve publike në nder të tij, më 2 shtator 2025, nga ora 10:00 deri në 13:00, në Teatrin Kombëtar të Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor”, shkruan Gonxhja.
Anagnosti do të mbetet përjetësisht një nga ikonat e artit shqiptar, jo vetëm si regjisor i dhjetëra filmave të paharruar, por edhe si figurë që i dha kinemasë shqiptare një dimension artistik dhe njerëzor të veçantë.
Homazhet publike do të jenë një mundësi për qytetarët, miqtë dhe kolegët e tij që t’i japin lamtumirën e fundit mjeshtrit, duke e nderuar për gjithçka ai i dhuroi kulturës kombëtare./K.C/dritare.net

















