Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Kurti thërret Këshillin e Sigurisë në mbledhje të jashtëzakonshme pas zhvillimeve në Iran

Kurti thërret Këshillin e Sigurisë në mbledhje të

Me kërkesë të kryeministrit Albin Kurti, të shtunën në mbrëmje u mbajt një mbledhje e jashtëzakonshme e Këshillit të Sigurisë për të diskutuar zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme, pas operacionit ushtarak “Epic Fury” të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe forcave partnere kundër Republikës Islamike të Iranit.

Në përfundim të mbledhjes, Kryeministri Kurti ritheksoi qëndrimin e qartë të institucioneve të Kosovës: vendi qëndron i palëkundur pranë aleatëve dhe miqve strategjikë, veçanërisht SHBA-së, në përpjekjet për ruajtjen e paqes, sigurisë dhe stabilitetit ndërkombëtar.

Sipas komunikatës zyrtare të Zyrës së Kryeministrit, Republika e Kosovës, duke ndjekur orientimin e saj euroatlantik dhe partneritetin e ngushtë me SHBA-në, mbështet veprimet e ndërmarra ndaj objektivave të regjimit iranian, duke i vlerësuar si masa që synojnë parandalimin e përshkallëzimit të mëtejshëm dhe kufizimin e kapaciteteve destabilizuese në rajon. Po ashtu, Kosova shpreh solidaritet me popullin e Iranit dhe aspiratat e tij për liri, dinjitet dhe të drejta themelore.

Në kuadër të mbledhjes, u bë e ditur se institucionet e Kosovës tashmë kanë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për ruajtjen e rendit dhe sigurisë në vend, dhe se po monitorojnë nga afër zhvillimet në Lindjen e Mesme, si edhe implikimet e mundshme për Kosovën dhe rajonin.

Kryeministri Kurti bëri thirrje që qytetarët të qëndrojnë të qetë dhe të informohen vetëm përmes kanaleve zyrtare dhe burimeve kredibile, duke shmangur dezinformatat dhe propagandën që mund të synojnë destabilizimin e vendit apo krijimin e tensioneve.

“Republika e Kosovës mbetet një partnere e besueshme dhe e përkushtuar e komunitetit euroatlantik dhe do të vazhdojë të kontribuojë në përpjekjet e përbashkëta për paqe, siguri dhe stabilitet global”, thuhet në njoftim.

Ky reagim i Kosovës vjen në një moment të tensionuar ndërkombëtar pas sulmeve ajrore të SHBA-së dhe Izraelit ndaj objektivave iraniane, duke treguar angazhimin e Prishtinës për solidaritet me aleatët dhe ruajtjen e stabilitetit rajonal./L.F-dritare.net