
Laert Haxhiu donte ta eleminonte, merret në mbrojtje prokurorja e SPAK
Dritare.net
Drejtuesi i SPAK, Altin Dumani, i është drejtuar Policisë së Shtetit me një shkresë ku i kërkon marrjen në mbrojtje të prokurores Doloreza Musabelliu, emri i së cilës u përmend nga i penduari i drejtësisë, Artan Tafani, si person që ishte planifikuar të eliminohej nga Laert Haxhiu dhe grupi i tij për shkak se kishte hetuar dy miqtë e tij, Orges Bilibli dhe Anterio Kaloshi, dhe vetë atë për masakrën e vitit 2017 në Lushnjë.
Sipas ndryshimeve me reformën e re në drejtësi, Policia merr menjëherë në mbrojtje prokurorët sapo të kërkohet nga ana e SPAK, megjithatë të hënën pritet të dalë në një deklaratë zyrtare edhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë për të njëjtën çështje. KLP pritet të ketë reagim edhe për nxjerrje të akteve dhe sekreteve hetimore, të publikuara në media.
Goditja brenda llojit nuk ishte e vetmja që Laert Haxhiu, 32-vjeçari nga Lushnja, autor i dyshuar i dhjetëra krimeve, kishte planifikuar bashkë me grupin e tij që shpërndanë terror në disa qarqe të vendit në të paktën 10 vitet e fundit. Doloreza Musabelliu, prokurorja e SPAK, ishte në shënjestër të tij dhe planin për eliminimin e saj ose të një familjari të cilin, po e thurte bashkë me bandën e tij pasi po ajo po e hetonte për krime të së shkuarës. Rrëfimi tronditës u bë nga Artan Tafani, 39-vjeçari që tashmë është bashkëpunëtor i drejtësisë dhe që ka zbardhur edhe 6 vrasje të tjera që u kryen nga vetë ai, Laert Haxhiu dhe grupi i tij i ekzekutorëve.
“I kemi ndjekur. Laerti ka dashur të sulmojë Doloreza Musabelli, pasi ishte prokurorja e çështjes së tij në SPAK. Kjo prokurore kishte dënuar me burgim të përjetshëm shokun e Laertit Orgest Bilbilin dhe Anterio Kaloshin. I kemi mbajtur nën vëzhgim dhe familjet e tyre. Laerti, pretendonte se nuk kishte lidhje me ngjarjen dhe se kjo prokurore po i bënte gropën. Atij ju fiksua që ta vriste prokuroren ose ndonjë njeri të afërm të familjes. I kemi bërë foto prokurores, burrit avokat dhe fëmijëve. Laerti tha se fotot e fëmijëve duhet më parë t’ia nisnim burrit të prokurores për të parë se çfarë ndikimi dhe reagimi do sillte”, ka thënë Tafani.
Por, Doloreza Musabelliu nuk ishte njeriu i vetëm i drejtësisë që Laert Haxhiu kishte planifikuar të eliminonte. Artan Tafani ka treguar edhe planin për ekzekutimin e avokatit Adriatik Guri, i cili sipas tij i ka shpëtuar vrasjes në fraksion sekonde në tetor 2021 në Lushnjë. Sipas të penduarit të drejtësisë avokatin do e vriste vetë ai, Laerti dhe Lulzim Arapi. Avokati Guri sot jeton vetëm prej faktit së në momentin që grupi kriminal zbarkoi me arsenal armës pranë banesës së tij, ai është takuar me një komshie, çfarë ka detyruar tre kriminalët të ndalojnë dhe të presin. Por, avokati, pasi hyri në apartamentin e tij, nuk doli më nga aty, duke anuluar çdo gjë.
Në rrethin e shënjestrës së Laert Haxhiut ishte edhe ish-prokuroren e Lushnjës, Merita Selimi, e shkarkuar nga vetting në korrik 2023. Ajo hetoi Haxhiun, Orgest Bilbilin dhe Anterio Kaloshin për masakrën e vitit 2017, ku mbetën të vrarë Zamir Latifi dhe Jurgen Hoxha, ndërsa u plagosën Bujar Turku dhe Marjus Xhepexhiu. 2 vite hetime dhe më pas Selimi shpalli moskompetencë për dosjen, duke ia kaluar SPAK dhe prokurores Doloreza Musabelliu, ku aktualisht ka dënuar me burgim të përjetshëm Orgest Bilbilin dhe Anterio Kaloshin, ndërsa ka ende në fazë gjykimi Laert Haxhiun, i paekstraduar akoma nga Greqia./shqiptarja.com

















