Liderët e BE dhe të Ballkanit Perëndimor mblidhen sot në Bruksel, i pranishëm edhe Rama!
Dritare.net

Sot udhëheqësit e Bashkimit Evropian do të takohen me liderët e Ballkanit Perëndimor, takim ky që do të zhvillohet për 4-tin vit radhazi në Bruksel. Samiti organizohet në prag të mbledhjes së fundit të Këshillit Evropian për këtë vit.Kryeministri Edi Rama është nisur që prej pasdites së djeshme drejt Brukselit.
Samiti do të kryesohet nga presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa. Bashkimi Evropian do të përfaqësohet nga presidenti i Këshillit Evropian Costa dhe Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ndërsa në takim do të marrë pjesë edhe përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas.
Sipas BE-së, samiti do të shërbejë si një mundësi për të demonstruar dhe rikonfirmuar forcën e marrëdhënieve strategjike mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, si dhe përfitimet që ato u sjellin qytetarëve.
Në tryezën e përbashkët, Shqipëria dhe Mali i Zi do të ulen si pararojë e negociatave për anëtarsim krahasuar me shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor si dhe me afate të paracaktuara të anëtarësimit, respektivisht në 2028 dhe 2029. Kryeministri Rama dhe homologu malazez Spajiç kanë arritur që të përfshihen në integrimin gradual me përfitimin nga fondet paraanëtarësimit dhe lehtësira të tjera.
Samiti pritet të fokusohet në gjetjet më të fundit të Paketës së Zgjerimit 2025, me Malin e Zi dhe Shqipërinë në krye referuar arritjeve drejt anëtarësimit. Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor prej 6 miliardë eurosh do të zërë po ashtu vend qendror, i konsideruar gjerësisht në Bruksel si një nga mjetet më efektive për afrimin e rajonit me BE-në, si ekonomikisht ashtu edhe në aspektin e reformave.
Ky samit do t’i japë një dorë dhe vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor ku pjesë e diskutimeve pritet të bëhet dhe bllokimi i negociatave për Maqedoninë e Veriut për shkak të një mosmarrëveshje dypalëshe me Bullgarinë.
Gjithashtu për diskutim pritet të jetë dhe situata politike në Bosnjë dhe Hercegovinë, prapambetja demokratike në Serbi si dhe Kosova, e cila brenda vitit shkon 2 herë në zgjedhje të përgjithshme.
Ky samit është zhvilluar në vitin 2022 në Tiranë. Liderët e BE-së dhe ato të Ballkanit Perëndimor do të takohen përsëri vitin e ardhshëm më 1 qershor në samitin BE–Ballkani Perëndimor 2026, që do të zhvillohet për të dytën herë në Malin e Zi.