Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

SPAK kërkon arrestimin e Ballukut, avokatët zbërthejnë skenarët dhe rolin e SHBA-së!

SPAK kërkon arrestimin e Ballukut, avokatët zbërthejnë

Ditën e djeshme Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) i është drejtuar zyrtarisht Kuvendit të Republikës së Shqipërisë me kërkesën për heqjen e imunitetit dhe autorizimin e arrestimit të Zëvendës Kryeministres dhe Ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.

Në emisionin 'Dekalog' të gazetarit Roland Qafoku në Dritare TV, dy juristë të njohur, Mirela Jorgo dhe Ylli Kameri, kanë zbërthyer në detaje implikimet ligjore dhe politike të kësaj kërkese.

Sipas njoftimit SPAK akuzon Belinda Balluku për vepra penale, përfshirë shkeljen e barazisë në tendera, korrupsion pasiv dhe shpërdorim detyre në lidhje me disa projekte infrastrukturore, si Tuneli i Llogarasë dhe unazat e Tiranës.

U theksua roli i Shteteve të Bashkuara të Amerikës si një faktor i rëndësishëm mbështetës i reformës në drejtësi. Avokati Kameri vuri në dukje se SPAK gëzon mbështetje të konsiderueshme nga Uashingtoni, çka e forcon pozicionin e këtij institucioni përballë ndikimeve politike të brendshme. Sipas tij, kjo mbështetje i jep SPAK-ut garanci më të mëdha për të ushtruar funksionet e tij në mënyrë të pavarur.

Panelistët komentuan gjithashtu vizitën e fundit të kreut të SPAK, Altin Dumani, në SHBA, duke sugjeruar se ajo mund të ketë ndikuar në intensifikimin e proceseve hetimore. Ky zhvillim u interpretua si një sinjal se hetimet mund të prekin çdo nivel të pushtetit, pa përjashtime.

Në lidhje me opozitën, të ftuarit shprehën mendimin se ajo nuk ka arritur të shfrytëzojë politikisht situatën e krijuar, për shkak të mungesës së një qëndrimi të bashkërenduar dhe fokusimit në çështje të brendshme organizative. U theksua se kjo ka kufizuar rolin e saj në debatin publik.

Në përfundim, analiza vlerësoi se pavarësisht vendimit që mund të marrë Kuvendi lidhur me çështjet procedurale, pasojat politike dhe institucionale tashmë janë të dukshme. Sipas avokatëve Shqipëria po përjeton një fazë zhvillimesh të reja politike, ku institucionet e drejtësisë po marrin një rol më aktiv dhe ku proceset hetimore pritet të kenë ndikim të rëndësishëm në skenën politike të vendit./E.P-dritare.net