Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Lufta në Iran përçan (edhe më shumë) SHBA me Britaninë! Trump: Marrëdhënia nuk është më si më parë

Lufta në Iran përçan (edhe më shumë) SHBA me

Presidenti amerikan Donald Trump, ka kritikuar kryeministrin britanik Keir Starmer për qëndrimin e tij lidhur me sulmet amerikane ndaj Iranit, duke deklaruar se marrëdhënia mes SHBA-së dhe Mbretërisë së Bashkuar “nuk është më ajo që ishte”.

Në një intervistë telefonike për The Sun, Trump u shpreh se Starmer “nuk ka qenë ndihmues” dhe se nuk e kishte menduar kurrë se do të shihte një qëndrim të tillë nga Britania e Madhe. “Është shumë e trishtë të shohësh që marrëdhënia padyshim nuk është më si më parë”, tha ai.

Komentet e Trump vijnë pasi Starmer deklaroi në Dhomën e Komunave se qeveria britanike “nuk beson në ndryshimin e regjimit nga ajri”, duke sinjalizuar një distancim nga strategjia e Uashingtonit.

Nga ana tjetër, ministri për Zyrën e Kryeministrit, Darren Jones, reagoi duke theksuar se marrëdhënia SHBA-MB “mbetet e rëndësishme” dhe se në aspektin operacional bashkëpunimi ushtarak vijon normalisht.

Në një intervistë për BBC Breakfast, Jones pranoi se presidenti amerikan nuk ishte i kënaqur që Britania nuk u përfshi në valën e parë të sulmeve ndaj Iranit. Megjithatë, ai theksoi se Mbretëria e Bashkuar do të angazhojë forcat e saj të armatosura vetëm kur të ekzistojë një bazë ligjore e qartë, një plan konkret veprimi dhe kur kjo të jetë në interes të vendit.

Fillimisht, Londra nuk lejoi përdorimin e bazave britanike për sulme amerikane ndaj Iranit, por më pas i hapi ato për operacione me karakter “mbrojtës”.

Sipas Jones, forcat britanike tashmë janë të përfshira në konflikt në një rol mbrojtës, për shkak se qytetarët britanikë në rajon konsiderohen “në rrezik”. Ai konfirmoi se pilotë të RAF-it janë në ajër duke rrëzuar raketa dhe se SHBA-së i është lejuar përdorimi i bazave ajrore britanike për operacione mbrojtëse.

I pyetur nëse veprimet amerikane kanë qenë të paligjshme, Jones u përgjigj se kjo është një çështje që i takon Shteteve të Bashkuara.

Ndërkohë, Trump theksoi se vende të tjera evropiane, si Franca, kanë qenë “të shkëlqyera”, duke shtuar se qëndrimi i Mbretërisë së Bashkuar ka qenë “shumë ndryshe nga të tjerët”.

Zhvillimet e fundit hedhin hije mbi marrëdhënien mes dy vendeve, edhe pse zyrtarët britanikë këmbëngulin se bashkëpunimi ushtarak dhe strategjik vazhdon në terren./L.F-dritare.net