Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Divizioni i Gjirokastrës u dogj me gjithçka brenda. 14 oficerë humbën jetën në zjarr

Divizioni i Gjirokastrës u dogj me gjithçka brenda. 14 oficerë

Në marsin e vitit 1997, ndërsa Shqipëria po përfshihej nga kaosi i rrëzimit të skemave piramidale, një nga plagët më të mëdha që iu hap ushtrisë shqiptare ishte shkatërrimi total i Divizionit të Gjirokastrës.

Koloneli Vladimir Mema, që ishte caktuar si drejtues i divizionit, rrëfen për DritareTv një nga ngjarjet më të rënda të historisë ushtarake shqiptare:

“Divizioni u shkatërrua plotësisht më 8 mars 1997. Bandat kishin dalë në rrugë, depot u dogjën, municionet shpërthyen, oficerët ikën, askush nuk qëndroi. Vetëm Zoti më shpëtoi.”

Më 8 mars, një zjarr ra në depot e armëve të divizionit të Gjirokastrës. Ishte një ditë fatale.

“Humbën jetën 14 oficerë. 5 prej tyre u dogjën për së gjalli. Ata janë shpallur dëshmorë,” thotë Mema me zë të ngjirur nga kujtimi.

Shkaku i zjarrit, sipas ekspertëve ushtarakë, ishte banal, por fatal: drita e diellit, që u pasqyrua mbi një makinë e parkuar pranë depot, ndezi barutin e depozituar 150–200 metra larg. Aty ndodheshin municione të kalibrit të madh, si topa 152 mm, shumë të ndjeshëm.

“Unë isha aty. Por për një mrekulli nuk isha brenda në momentin e shpërthimit. Nëse do të isha, nuk do të isha gjallë sot.”

Shkatërrimi i pasurisë ushtarake shqiptare

Sipas llogaritjeve të ekspertëve, në ato vite Shqipëria zotëronte armatime me vlerë 130 miliardë dollarë, nga të cilat 65 miliardë ishin vetëm municione. Kjo pasuri u shpërbë dhe u grabit brenda javësh. Asnjë strukturë nuk e ruajti. Asnjë drejtues nuk u ndëshkua.

Rindërtimi me civilë dhe pa oficerë

Pas ngjarjes, më 11 mars 1997, Mema u thirr sërish në Gjirokastër nga Ministria e Mbrojtjes për të rindërtuar divizionin nga hiçi, me ndihmën e 85 civilëve që ruanin repartin. Ai punoi deri në fund të nëntorit për të ngritur strukturën ushtarake në këmbë. Por dëmi ishte i pakthyeshëm.

“I tregova ministrit Brokaj gjithçka me sy. I thashë: ata që u larguan në rrëmujë, nuk duhet të kthehen më. Ai nuk pranoi. Pastaj më transferuan në Tiranë.”

Një faqe e errët në historinë ushtarake të Shqipërisë

Divizioni i Gjirokastrës nuk ishte vetëm një njësi ushtarake ishte shtylla e mbrojtjes së Jugut. Shkatërrimi i tij ishte një mesazh i qartë për rrënimin institucional të atyre viteve.

“I dhamë gjithçka me inventar në 1992 armë, fishekë, çdo gjë. Sot askush nuk mban përgjegjësi. Ata që duhet të mbanin këtë shtet në këmbë, e lanë në baltë,” përfundon koloneli./dritare.net