Lumi Vjosa doli nga shtrati, urdhër i menjëhershëm evakuimi në Novoselë!
Dritare.net

Si pasojë e daljes nga shtrati të lumit Vjosa, Emergjencat Civile kanë dhënë urdhër të menjëhershëm evakuimi për banorët e Novoselës. Banesat janë rrezikuar për shkak të reshjeve të shumta që kanë përkeqësuar situatën.
Evakuimi do të realizohet në koordinim me Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, prefektin e qarkut dhe strukturat e emergjencave në bashki. Prioritet do të kenë fëmijët, të moshuarit, personat me aftësi të kufizuara dhe familjet e izoluara. Bashkia e Vlorës do të kryejë strehimin e banorëve.
Në pamjet me helikopter, shihet qartazi sesi uji ka terrenin mbuluar thuajse plotësisht.
Në zbatim të:
* Ligjit nr. 45/2019, “Për Mbrojtjen Civile”
* Planit Kombëtar të Emergjencave Civile
* Planeve Vendore të Emergjencave Civile,
si pasojë e situatës së krijuar nga përmbytjet dhe rrezikut të menjëhershëm për jetën dhe shëndetin e qytetarëve, do të kryhet evakuimi i menjëhershëm i banorëve të:
Bashkisë Vlorë
Njësisë Administrative Novoselë
Evakuimi do të realizohet përmes koordinimit me:
* Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile (AKMC)
* Prefektin e Qarkut përkatës
* Strukturat e Emergjencave Civile në bashki
Sipas legjislacionit në fuqi, Kryetari i Bashkisë është autoriteti përgjegjës për urdhërimin e evakuimit në territorin e bashkisë.
Në çdo rast, komunikimi dhe kërkesat për ndihmë duhet t’u drejtohen autoriteteve publike në terren.
Prioritet në procesin e evakuimit kanë:
* Fëmijët
* Të moshuarit
* Personat me aftësi të kufizuara
* Familjet në zona të izoluara
Transporti për evakuimin e banorëve do të sigurohet nga:
* Mjetet e Bashkisë
* Shërbimi i Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi (MZSH)
* Forcat e Armatosura
Menaxhimi i strehimit të të evakuuarve
Menaxhimi i strehimit dhe asistencës për qytetarët e evakuuar do të realizohet nga Bashkia, në bashkëpunim me:
* Policinë e Shtetit
* Njësitë e kujdesit shëndetësor
* Strukturat e shërbimeve sociale, sipas nevojës
Në kuadër të këtij procesi do të sigurohet:
* Regjistrimi i të evakuuarve, në momentin e mbërritjes në ambientet e strehimit të përkohshëm
* Administrimi i nevojave bazë, përfshirë ushqimin, veshmbathjen dhe ndihmën mjekësore
* Ofrimi i informacionit periodik për statusin e situatës dhe masat në vijim
Ky njoftim ka karakter urgjent dhe hyn në fuqi menjëherë.
Për çdo situatë emergjente, qytetarët të kontaktojnë numrin e emergjencave.