Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Meçe: Pse mbledhja për Ballukun u bë me dyer të mbyllura!

Meçe: Pse mbledhja për Ballukun u bë me dyer të mbyllura!

Zhvillimi i mbledhjes së Këshillit të Mandateve me dyer të mbyllura për shqyrtimin e kërkesës së SPAK ndaj deputetes Belinda Balluku shkaktoi reagime të forta politike dhe mediatike. Megjithatë, analisti Arben Meçe, duke folur për emisionin Intervista e Ditës në Dritare TV, e cilësoi këtë si një procedurë standarde ligjore dhe jo si një përpjekje politike për të fshehur provat, siç pretendon opozita.


Meçaj sqaroi se në raste të tilla, është prokuroria ajo që vendos kushtet e prezantimit të provave. Ai shpjegoi se kur prokurori i çështjes kërkon ruajtjen e sekretit hetimor, Parlamenti është ligjërisht i detyruar të respektojë këtë kërkesë. 'Nuk e kërkon Parlamenti mbylljen e dyerve, e kërkon prokurori. Dhe në momentin kur prokuroria kërkon ruajtjen e sekretit hetimor, Parlamenti është i detyruar ta respektojë,' deklaroi Meçe.

Analisti bëri një paralelizëm me proceset gjyqësore, ku shpesh seancat zhvillohen pa praninë e publikut për të mos cenuar integritetin e hetimeve apo sigurinë e provave. Ai theksoi se dokumentet e dërguara në Kuvend shpesh përmbajnë të dhëna sensitive që, nëse bëhen publike në këtë fazë, mund të dëmtojnë hetimin ose të ekspozojnë palë të treta. Sipas tij, interpretimi se maxhoranca po mbron Ballukun duke mbyllur dyert është thjesht një retorikë politike pa bazë ligjore.

Meçaj adresoi gjithashtu çështjen e aksesit të deputetëve në prova. Ai sqaroi se deputetët e Këshillit të Mandateve kanë të drejtë të njihen me provat, por brenda një regjimi të kontrolluar sigurie, që ndalon fotografimin apo shpërndarjen e materialeve. Ai kritikoi deputetët e opozitës të cilët, sipas tij, janë të vetëdijshëm për këto kufizime ligjore, por zgjedhin t'i përdorin procedurat për zhurmë politike. 'Partia Demokratike e di mjaft mirë që seanca e hapur nuk bëhet për sa kohë e kërkon prokurori, pastaj i duhet që në kuadrin e alibisë së saj të prodhojë gjëra të paqena,' tha ai./K.C/dritare.net