Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Mediu-familjes Durda: Kam 15 vite që ju dëgjoj! I ati i Edisonit: Sot kishte ditëlindjen, do mbushte 25 vjeç

Mediu-familjes Durda: Kam 15 vite që ju dëgjoj! I ati i Edisonit: Sot

Ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu ka shpërthyer në sulme ndaj familjes Durda gjatë seancës së radhës gjyqësore për masakrën e Gërdecit, ku mbetën të vrarë 26 persona mes tyre edhe fëmijë. Shkak për debatet në gjyq është bërë kërkesa e Fatmir Mediut, i cili kërkon që në procesin gjyqësor të gjykohet pa praninë e familjarëve të viktimave, një e drejtë që në fakt atyre u është njohur edhe nga Gjykata e Strasburgut më nëntor 2023.

Ish-ministri Mediu kërkoi në sallë revokimin e vendimit të gjyqtares Gjoka që ka pranuar familjen Durda si palë, ndërsa ngriti edhe pretendime absurde se avokati i tyre, Dorian Matlija paguhet nga George Soros. Por, këtyre pretendimeve të Mediut iu përgjigj djali i familjes Durda, Geraldo, i cili i kërkoi të lërë mandatin e deputetit dhe të përballet me drejtësinë.

“Ta ka dhënë përgjigjen gjykata e Strasburgut, lëre mandatin e deputetit e përballu me gjykatën”, tha Geraldo Durda në sallën e gjyqit.

ashpër ishte edhe reagimi i babait të Edison Durdës, i cili ishte vetëm 7 vjeç kur u vra në masakrën e Gërdecit. Feruzan Durda i cili prej 15 vitesh po kërkon drejtësi, i kujtoi Mediut vrasjen e të birit, i cili sot do të festonte datëlindjen dhe do mbushte 25 vjeç.

Fatmir Mediu: Kemi 15 vite që ju dëgjojmë.

Feruzan Durda ngrihet në këmbë:15 kam unë që pres. Nuk e financon Soros, se e ka marrë në 2008 çështjen. Mos të thotë kemi 15 vjet që ju dëgjojmë, se jemi ne ata që presim. Duhet ta kishim djalin 25 vjeç. Ka ditëlindjen sot.
Pasi gjyqtarja Irena Gjoka nuk e pranoi kërkesën e Mediut për përjashtimin e familjes Durda, avokatët e tij bënë kërkesë tjetër për përjashtimin e saj dhe kërkuan pezullimin e seancës. Por edhe kjo kërkesë nuk iu pranua.

“Kërkesa juaj nuk është shkak për ndërprerjen e procesit”, tha Irena Gjoka.
Mediu vijoi me akuzat duke thënë se në emër të familjes po bëhet politikë, ndërsa tha se vendimi demontimin e municioneve u zbtua nga Forcat e Armatosura.

“Si ka mundësi që Altin Dumani për mënyrën e arrestimit të Ilir Metës tha se nuk ka përgjegjësi pasi kam nxjerr vetëm urdhrin, zbatimin e ka bërë polici, ndërsa unë qenkam përgjegjës për një vendim për demontimin që kam nxjerr totalisht të rregullt, e kanë marrë për zbatim dhe e kanë zbatuar forcat e armatosura”, tha Mediu.
Rihapja e çështjes ndaj Mediut u vu në lëvizje pas 12 vitesh me iniciativën e familjes Durda, e një prej viktimave të shpërthimit në 15 mars 2008, në ambientet e ish “Brigadës së Tankeve”.

Çfarë ndodhi në 15 mars?
15 mars 2008, mesditë ora 12:05 një shpërthim i fuqishëm tronditi Tiranën, ndërsa krateri i tij u shënua pak kilometra më tutje në fshatin Gërdec në Vorë. Teksa minutat kalonin ajo çka kishte ndodhur ishte e paimagjinueshme, 26 të vdekur e mbi 300 të plagosur dhe me 100 shtëpi të rrafshuara. Këto ishin pasojat e shpërthimit në punishten e demontimit të municioneve shtetërore në pronësi të biznesmenit Mihal Delijorgji. Sot 17 vite më pas, ai shpërthim është ende i freskët në memorien e të gjithë. Kjo ngjarje përfundoi dhe në dyert e gjykatave shqiptare, por sot për 26 të vdekur e 300 të plagosur nuk ka asnjë person pas hekurave. Pati persona që ndërruan jetë në mënyrë të pashpjegueshme, pati dëshmitarë që u arratisën, ushtarak që morën azil politik, por për familjarët asnjëherë nuk u vendos drejtësi./shqiptarja.com