Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Ministrja Kumbaro: Programi “Pas shkolle” do të zgjerohet në të gjithë vendin

Ministrja Kumbaro: Programi “Pas shkolle” do të zgjerohet

Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, ka ndarë detaje mbi programin “Pas Shkolle”, një nismë që synon t’u ofrojë nxënësve më shumë mbështetje pas përfundimit të procesit mësimor. Sipas Kumbaros, fëmijët që bëhen pjesë e këtij programi nuk angazhohen vetëm në aktivitete argëtuese dhe edukative si lojërat, arti, sporti apo veprimtaritë krijuese, por kanë edhe mundësinë të zhvillojnë detyrat e shtëpisë së bashku me mësuesit.

Programi aktualisht po pilotohet në shkollat e Tiranës dhe tashmë është bërë pjesë e ligjit për arsimin parauniversitar, çka i hap rrugën shtrirjes së tij më të gjerë në të ardhmen. Kumbaro bëri të ditur gjithashtu se është dyfishuar pagesa për mësuesit që angazhohen në këtë program, ndërsa puna vijon për ta zgjeruar atë edhe në qytete të tjera të vendit, në një formë të unifikuar.

"Në programin "Pas shkolle", fëmijët nuk angazhohen vetëm me lojëra, art, sport apo aktivitete krijuese, por kanë edhe mundësinë të kryejnë detyrat e shtëpisë së bashku me mësuesit, duke e kthyer kohën pas mësimit në një mbështetje reale për nxënësit dhe familjet. Ky program, që po pilotohet në shkollat e Tiranës, tashmë është bërë pjesë e ligjit për arsimin parauniversitar. Kemi dyfishuar pagesën për mësuesit që angazhohen në të dhe po vijojmë punën për ta shtrirë më gjerë në qytete të tjera, në një formë të unifikuar.", shkruan Kumbaro./K.C/dritare.net