Miratohen ndryshimet në rregulloren e Kuvendit
Dritare.net

Pas një seance maratonë që zgjati për orë të tëra, Partia Socialiste dhe Partia Demokratike arritën dakordësi për ndryshimet në rregulloren e Kuvendit, duke i miratuar ato me 100 vota pro dhe vetëm një votë kundër, atë të deputetit Redi Muçi. Marrëveshja mes palëve solli tërheqjen e disa prej propozimeve më të debatuara të socialistëve, pas kërkesave të opozitës.
Një nga ndryshimet kryesore lidhet me projektligjet që kërkohen nga Bashkimi Evropian. PS hoqi dorë nga propozimi që këto nisma të shqyrtoheshin automatikisht me procedurë të përshpejtuar brenda një jave. Sipas formulës së re të dakordësuar, ligjet e integrimit do të kalojnë me procedurë normale parlamentare, përveç rasteve kur qeveria paraqet një kërkesë të arsyetuar për përshpejtim.
Po ashtu, socialistët u tërhoqën edhe nga nisma për shmangien e raportimeve të institucioneve të pavarura në seancë plenare. Në variantin final, institucionet e përcaktuara në Kushtetutë do të vijojnë të raportojnë në komisionet parlamentare përkatëse, të cilat më pas hartojnë projektrezoluta që i kalojnë Komisionit “Xhafaj”.
Një tjetër pikë e diskutuar ishte koha e debatit në Kuvend. PS kishte propozuar uljen e kohës së diskutimit nga 10 në 5 minuta, por pas negociatave u vendos që deputetët të vijojnë të kenë në dispozicion 10 minuta për diskutime në seancë plenare. Ndryshimet e miratuara parashikojnë gjithashtu forcimin e kontrollit parlamentar, duke i dhënë Kryetarit të Kuvendit të drejtën të ndërhyjë në rastet kur institucionet nuk u përgjigjen kërkesave të deputetëve për informacion.
Rregullorja e re prek edhe kohëzgjatjen e seancave plenare. Me kërkesë të një kryetari grupi parlamentar, seanca mund të ndërpritet në orën 22:00 dhe të rifillojë ditën pasardhëse. Gjithashtu, u pranua edhe kërkesa e opozitës që masat disiplinore ndaj deputetëve të pezullohen automatikisht në momentin kur ankimohen në Byronë e Kuvendit./K.C/dritare.net