Në Greqi më arrestuan se isha një brune me makinë gri! Rrëfimi tronditës i autores Eva Caca!
Dritare.net

“Në Greqi më arrestuan se isha një brune me makinë gri." Në Shqip nga Rudina Xhunga në DritareTv, autorja Eva Caca dhe shkrimtarja Rezarta Reso shpalosën historinë e fuqishme pas librit "Anatomia e një Vrasëseje".
Libri, i bazuar në një histori të vërtetë, trajton jetën e një gruaje të quajtur Besmira, e cila pas një jete abuzimesh, përfshirë inçestin ku u be deshmitare, arrin të kryejë një akt ekstrem. Pas tij shumë të tjerë.
Por, thelbi i diskutimit shkoi përtej faqeve të librit, duke prekur plagë të thella të shoqërisë dhe duke zbuluar një histori paralele të padrejtësisë, atë të vetë autores. Eva Caca rrëfeu se frymëzimi për librin lindi në rrethanat më të pabesueshme, brenda një burgu të sigurisë së lartë në Greqi, ku ajo vetë u burgos padrejtësisht për shtatë muaj.
E akuzuar për një krim bazuar vetëm në një përshkrim të vagullt, "një brune me makinë gri", Caca përjetoi në lëkurën e saj absurditetin dhe brutalitetin e një sistemi të huaj dhe indiferent. Ajo përshkroi kushtet çnjerëzore, me 22 gra në një dhomë, dhe ndjenjën e pashpresës që e shtyu drejt shkrimit si një formë mbijetese dhe shpëtimi. Ishte pikërisht aty ku ajo takoi Besmirën, një grua jeta e së cilës ishte një kalvar dhune dhe abuzimi.
Historia e saj e rëndë, e cila përfshinte tabunë më të madhe të shoqërisë, inçestin, u bë shtysa kryesore për Cacën që të dokumentonte dhe t'i jepte zë kësaj dhimbjeje të heshtur.
"Anatomia e një Vrasëseje" nuk është thjesht një libër; është një thirrje për ndërgjegjësim, një dëshmi e padrejtësisë dhe një homazh për forcën e pashtershme të grave që mbijetojnë pavarësisht gjithçkaje. Siç e përmbylli Eva Caca, "E folura mund të na shpëtojë. Bëhemi bashkë dhe jemi shumë."/dritare.net