Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Nikollë Lesi: Ju tregoj përplasjen time me Fatos Nanon!

Nikollë Lesi: Ju tregoj përplasjen time me Fatos Nanon!

Historia e medias shqiptare ka një datë të zezë, dhe ajo është nata duke gdhirë 3 marsi i vitit 1997. Nikoll Lesi, botuesi i 'Koha Jonë', në një intervistë për emisionin Shqip nga Dritan Hila në DritareTv, e përshkruan këtë ngjarje si sulmin më brutal të ndërmarrë ndonjëherë nga një qeveri ndaj një organi mediatik.
Redaksia e gazetës u sulmua, u bastis dhe u dogj plotësisht nga struktura të lidhura me pushtetin e kohës (qeverisja e PD), ndërsa gazetarët u dhunuan barbarisht. "Ishte natë e tmerrshme. Kur shkuam në mëngjes, pamë tym, kompjuterë të shkrumbuar dhe mure të mitraluara.", thotë Lesi, duke evokuar një skenë lufte në mes të Tiranës.

Pasojat e këtij akti nuk ishin vetëm materiale. Gazeta, e cila kishte shërbyer si një platformë për opozitën socialiste gjatë viteve të vështira të opozitës, u gjend e vetme pas ndryshimit të pushtetit. Lesi zbulon një prapaskenë politike tronditëse: marrëdhënien e tij me Fatos Nanon pas vitit 1997. Edhe pse 'Koha Jonë' kishte luajtur një rol vendimtar në erozionin e pushtetit të Berishës dhe ardhjen e socialistëve, Nano refuzoi kërkesën legjitime të Lesit për dëmshpërblim ose ndihmë për ringritjen e gazetës së djegur nga shteti.

'Nuk kërkova favore, kërkova drejtësi për një krim shtetëror,' thekson Lesi. Refuzimi i Nanos çoi në një konflikt të hapur, që kulmoi me hyrjen e Lesit në politikë si deputet i pavarur dhe betejën e famshme për heqjen e imunitetit. I akuzuar për shpifje nga kryeministri i kohës, Lesi u përball në Parlament në një votim dramatik. Kundër të gjitha gjasave dhe presionit qeveritar, ai arriti të fitonte mbështetjen e deputetëve në një votim të fshehtë (72 vota pro tij kundrejt 62 për Nanon), duke mbrojtur mandatin e tij./K.C/dritare.net