Zyrtare/ Pas 8 muajsh, Ernest Muçi rikthehet në Kombëtare
Dritare.net

Ernest Muçi do të rikthehet në Kombëtaren shqiptare pas tetë muajsh mungesë. Trajneri Sylvinho është bindur nga forma shumë e mirë që fantazisti po kalon këtë sezon në Turqi, duke e përfshirë në listën e ekipit për ndeshjet play-off të Kupës së Botës 2026.
Muçi po kalon një moment të shkëlqyer me Trabzonsporin, ku në pesë muajt e fundit ka realizuar 13 gola në 30 ndeshje dhe ka dhënë katër asistime, duke u kthyer në një nga lojtarët më të vlerësuar nga tifozët e klubit turk. Forma e tij ka qenë vendimtare që ai të rikthehet në planet e Kombëtares, në një moment kur Shqipëria ka nevojë për më shumë fantazi dhe cilësi në repartin ofensiv.
Pas kësaj periudhe larg kuqezinjve, Muçi rikthehet më i pjekur si në fushë, ashtu edhe në jetën personale, pasi gjatë këtyre muajve është bërë baba për herë të parë. Me më shumë eksperiencë, minuta në këmbë dhe një vazhdimësi të admirueshme, ai shihet si një armë shtesë për objektivin e madh të Shqipërisë drejt finales së Kupës së Botës 2026.
Ftesa e Sylvinhos për Muçin është konfirmuar edhe nga vetë klubi i Trabzonsporit. Shqipëria do të përballet më 26 mars në Varshavë me Poloninë, në gjysmëfinalen e play-off-it të Botërorit 2026. Në rast kualifikimi, kuqezinjtë do të ndeshen më 31 mars me fituesin e çiftit Ukrainë-Suedi, sërish në transfertë.
Ky zhvillim vjen pasi Dritare TV e kishte paralajmëruar këtë lajm disa javë më parë. Gazetari i sportit Xhevdet Zekaj, i ftuar në emisionin “Dekalog” nga Roland Qafoku, pati bërë të ditur se trajneri Sylvinho do ta thërriste Ernest Muçin në Kombëtare. Ajo që deri pak më parë shihej me dyshim, tashmë është bërë realitet./L.F-dritare.net