
Pas shembjes së ndërtesave, Rama lajmëron aksionin e radhës në Theth
Dritare.net
Ka nisur sot në zonën e mbrojtur të Thethit operacioni për pastrimin e mbetjeve inerte nga ndërtimet pa leje, të prishura më herët nga Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT). Kryeministri Edi Rama njoftoi përmes një postimi në rrjete sociale se pastrimi po kryhet me mbështetjen e forcave të xhenios dhe synon rikthimin e peizazhit të zonës në gjendjen e mëparshme.
Sipas Ramës, bëhet fjalë për mbi 100 struktura të ngritura pa leje nga 40 subjekte të ndryshme përfshirë ndërtime me mure, konstrukte metalike dhe godina me dru, të cilat, siç tha ai, janë ndërtuar “në dhunim ekstrem të ligjit për zonat e mbrojtura, të historisë dhe të peizazhit magjepsës të asaj zone”.
“Forcat e xhenjos nuk do të largohen nga Thethi deri kur të jetë hequr edhe mbeturina e fundit,” theksoi Rama, duke shtuar se mbetet edhe një godinë masive për t’u shembur, për të përmbyllur ekzekutimin e plotë të vendimeve të IKMT-së dhe për të rikthyer normalitetin në këtë zonë të rëndësishme turistike.
Kryeministri e cilësoi ndërhyrjen si pjesë të nisjes së fazës së dytë të projektit të “Rilindjes Urbane”, të cilën e quajti një domosdoshmëri jetike për objektivin e Shqipërisë për integrim në Bashkimin Europian deri në vitin 2030.
Postimi i plotë i Ramës!
"Ka nisur sot në Theth me mbështetjen e forcave të xhenjos, pastrimi i mbetjeve inerte të ekzekutimit të vendimeve në ngarkim të 40 subjekteve që kishin mbjellë mbi 100 ngrehina pa leje - nga ato me mure tek ato me kontruksion metalik e me dru - në dhunim ekstrem të ligjit për zonat e mbrojtura, të historisë e të pejsazhit magjepsës të asaj zone dhe të turizmit që kanë kultivuar në vite ata që kanë sakrifikuar për ta bërë Thethin destinacionin që është sot.
Forcat e xhenjos nuk do të largohen nga Thethi deri kur të jetë hequr edhe mbeturina e fundit, ndërkohë që mbetet edhe nje godinë masive për t’u shembur, që të përmbyllet ekzekutimi i plotë i vendimeve të IKMT dhe rikthimi i Thethit në normalitetin e para kësaj marrëzie kriminale.
Ka filluar Rilindja Urbane 2.0 si domosdoshmëri jetike për Shqipërinë 2030 në BE.", shkruan Rama./K.C/dritare.net

















