Stresi futet në politikë, kandidon për Këshillin Kombëtar të PD-së
Dritare.net

Reperi shqiptar Arkimed Lushaj, i njohur me emrin artistik Stresi, ka zbuluar se do të kandidojë për Këshillin Kombëtar të Partisë Demokratike, pas një propozimi të bërë nga kreu i PD-së, Sali Berisha.
Përmes një mesazhi të publikuar në rrjetet sociale, Stresi u shpreh se ky vendim vjen si një hap për të përfaqësuar të rinjtë dhe për të sjellë zërin e tyre më pranë vendimmarrjes politike në vend. Ai theksoi se kandidimi i tij nuk është thjesht një angazhim politik, por një përgjegjësi ndaj brezit të ri shqiptar.
“Nuk ka më kohë për heshtje apo dorëzim. Ka ardhur momenti që rinia të flasë dhe të marrë vendin që meriton”, u shpreh reperi në mesazhin e tij.
Stresi shtoi se vjen nga “rruga dhe jeta reale”, duke theksuar se njeh nga afër sfidat me të cilat përballen të rinjtë në Shqipëri. Ai ftoi çdo të ri që beson te ndryshimi dhe energjia e re të bashkohet në këtë rrugëtim politik.
Kandidimi i artistit ka sjellë reagime të shumta në rrjetet sociale, ndërsa mbetet për t’u parë roli që ai do të ketë në strukturat e Partisë Demokratike dhe angazhimin e tij në politikë./K.C/dritare.net